“Bëhu mik i Prishtinës”, mbillen drunj të rinj në kryeqytet

  • E.K /
  • 02 November 2020 - 15:52
 “Bëhu mik i Prishtinës”, mbillen drunj të rinj në kryeqytet

Drejtoresha e Parqeve në Komunën e Prishtinës, Fatime Hajdari, ka njoftuar se sot në kryeqytet janë mbjellur 60 drunj të rinj, duke nisur kështu fushatën “Bëhu mik i Prishtinës”.

Hajdari ka shkruar në Facebook se kjo fushatë ka për qëllim të shtojë hapësirat e gjelbërta në kryeqytet.

Ajo ka bërë të ditur se drunjtë janë mbjellur në lagjen “Ulpiana” dhe në rrugën “Luan Haradinaj”.

“Me mbjelljen e 60 drunjve të rinj filloi fushata “Bëhu mik i Prishtinës”, që ka për qëllim shtimin e gjelbërimit në kryeqytet. Drunjtë e parë në kuadër të kësaj fushate u mbollën në lagjen “Ulpiana” dhe në rrugën “Luan Haradinaj”, të dhuruar nga OJQ “Sbunker”. Përmes donacioneve të qytetarëve dhe kompanive të ndryshme me drunjë, Prishtina do të ndryshojë për të mirë, duke rritur hapësirat e gjelbëra në çdo lagje”, ka shkruar Hajdari.

(Kosova Sot Online)