Koha kur gruaja në Amerikë nuk kishte të drejtë të votonte

  • G.G /
  • 03 November 2020 - 09:01
Koha kur gruaja në Amerikë nuk kishte të drejtë të votonte

Veprimtarja për të drejtën e votimit, Susan B. Anthony, para 148 vjetësh, konkretisht më 3 nëntor 1872, u përpoq të votonte në zgjedhjet presidenciale, por u arrestua për shkak të kësaj orvatjeje.

Ajo kishte provokuar qëllimisht arrestimin e saj në Nju Jork për të fituar publicitet për kauzën e të drejtave të grave për të votuar.

Anthony u nxor para gjyqit, u shpall fajtore dhe u gjobit me 100 dollarë pasi ishte përpjekur të votojë. Pas kërcënimit të saj për të mos e njohur vendimin e gjyqit dhe për të mos paguar gjobën, gjykatësi u shpreh se ajo mund të falej me kusht që të largohej menjëherë nga shteti i Nju Jorkut.

Susan B. Anthony ishte një veprimtare e fuqishme për të drejtën e grave për të votuar.

Ajo nuk mori parasysh fyerjet e vazhdueshme personale gjatë fushatës së saj gati gjysmë-shekullore për të drejtën e grave për të votuar dhe vazhdoi punën për të drejtat e grave deri në vitin 1906 kur edhe ndërroi jetë në moshën 86-vjeç.

Fushata e saj përgatiti terrenin për miratimin në vitin 1920 të Amendamentit 19-të të Kushtetutës së SHBA-së, i cili u jep grave amerikane të drejtën për të votuar.

(Kosova Sot Online)