Analizë e zgjedhjeve në SHBA: Biden afër fitores, i duhen edhe pak vota

  • G.G /
  • 03 November 2020 - 11:05
Analizë e zgjedhjeve në SHBA: Biden afër fitores, i duhen edhe pak vota

Nuk janë thjesht votat e njerëzve që e përcaktojnë presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA). Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka treguar se si shkon procesi deri te zgjedhja e presidentit të ri amerikan.

Maliqi ka shpjeguar sistemin “e koklavitur” zgjedhor në SHBA, që përfshin gara të veçanta në çdo shtet.

“Sistemi i zgjedhjes së Presidentit të SHBA është i koklavitur sepse realisht nuk mbahet një proces zgjedhor, por janë 50 gara të veçanta në çdo shtet. Çdo shtet varësisht nga madhësia e ka një numër “votash elektorale”. Fitorja në një shtet ia jep kandidatit të gjitha votat elektorale të atij shteti. Në total janë 538 vota elektorale, ndërsa kandidati që i mbledh 270 vota elektorale shtetesh bëhet President”, ka shpjeguar Maliqi.

Ai ka thënë se kandidati demokrat, Joe Biden i ka tashmë 226 vota elektorale, ndërsa i duhen vetëm edhe 44 që ta fitojë garën më të rëndësishme të këtij viti në botë.

“Realisht pjesa më e madhe e këtyre shteteve dihet se si do të votojnë. Biden i ka tashmë 226 “vota elektorale” të sigurta (i duhen veç edhe 44), Trump i ka 126 (i duhen edhe 144). Beteja zhvillohet për 10 shtete që i japin 186 vota elektorale në total”, ka shkruar ai.

Me një tabelë, Maliqi i ka ilustruar shtetet ku po zhvillohet garë më e ashpër.

“Në këtë tabelë i kam ilustruar shtetet që janë në garë sipas 5 kategorive të rëndësisë, bashkë me parashikimin e rezultatit nga Nate Silver dhe një koment timin. Poashtu e kam vendosur edhe parashikimin e vitit 2016 dhe rezultatin e vitit 2016 për këto shtete, për t’u parë se ku patën gabuar atëherë parashikimet/anketat. Është e qartë se sivjet përparësia e Biden ndaj Trump në anketa është më e lartë se ajo e Clinton, shpesh më e madhe se gabimi në anketa i vitit 2016”, e ka përshkruar Maliqi tabelën.

Ai ka treguar se dy shtetet më të rëndësishme në këtë garë janë Pennsylvania dhe Florida, por ka theksuar se Biden hyn në këtë garë si favorit.

“Dy shtetet më të rëndësishme për t’u ndjekur janë Pennsylvania dhe Florida. Për më shumë mbi matematikën e arritjes deri në 270 vota lexoni dokumentin me shënimet e mia. Gjithsesi, Biden hyn në garë si favorit i qartë”, ka shkruar Maliqi. 

https://www.facebook.com/agon.maliqi/posts/10164158936130705

(Kosova Sot Online)