Erdogan një prej liderëve të paktë që nuk e tha asnjë fjalë për sulmin terrorist në Vjenë

  • G.G /
  • 03 November 2020 - 13:18
Erdogan një prej liderëve të paktë që nuk e tha asnjë fjalë për sulmin terrorist në Vjenë

Pothuajse të gjithë liderët botërorë kanë reaguar duke e dënuar sulmin terrorist që ndodhi mbrëmë në Vjenë të Austrisë, duke lënë 5 të vrarë e të paktën 17 të plagosur, prej tyre 7 që po luftojnë me vdekjen në spital.

Sulmi terrorist, sipas autoriteteve austriake ka pasur motive islamike.

Terrori i përjetuar mbrëmë në qytetin austriak ngjalli frikë dhe shumë shqetësim në mbarë botën. Por, këtë shqetësim duket se nuk e ka ndjerë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan. Të paktën, ai nuk e ka shprehur këtë, duke mos bërë as edhe një reagim të vetëm për ngjarjen e tmerrshme që ka marrë vëmendjen edhe të atyre që po përqëndroheshin për t’i përcjellur më me interes zgjedhjet presidenciale në SHBA.

Nga Turqia zyrtare ka reaguar vetëm Ministria e Punëve të Jashtme që e dënoi sulmin terrorist përmes një kumtese.

“Ne e dënojmë fuqishëm këtë sulm, u shprehim ngushëllimet tona familjeve të atyre që humbën jetën dhe u urojmë shërim të shpejtë të plagosurve”, thuhet në kumtesën e ministrisë.

Erdogan paraprakisht ka dalë kundër atyre që reaguan ashpër ndaj vrasjes makabre të një profesori në Francë, që u bë pikënisje e një konflikti verbal të tij me presidentin francez, Emmanuel Macron.

Erdoganit s’i kishte pëlqyer asak deklarata e Emmanuel Macron se prerja e kokës së profesorit ishte sulm terrorist islamik. Prej prerjes së kokës së Patyt, karikaturat janë shfaqur në disa pjesë të Francës, në shenjë solidariteti, derisa Macron, i cili është takuar me komunitetin mysliman në Francë, është zotuar se do ta luftojë “separatizmin islamist”.

Erdogan e kishte cilësuar këtë deklaratë si provokim, duke thënë se presidenti francez ka agjendë anti-islame.

Derisa Macron tha se nuk heqin dorë nga liria e shprehjes, Erdogan bëri thirrje që qytetarët t’i bojkotojnë produktet franceze. Kjo këshillë u mor parasysh në shumicën e vendeve me shumicë myslimane.

Ai ishte indiferent edhe ndaj sulmit tjetër të para pak ditëve në Nicë të Francës, ku sulmuesi kishte bërtitur “Allahu Akbar” pas sulmit.

Policia austriake po gjurmon të dyshuarit që u bënë protagonistët e një nate terrori mbrëmë në qytetin e Vjenës. Të dyshuarit e sulmit që la të vdekur 5 persona (përfshirë sulmuesin shqiptar nga Maqedonia e Veriut) dhe të plagosur dhjetëra të tjerë janë ndërmjet 16 dhe 25 vjeç. Njëri nga ta ka lindur në Kosovë, raporton gazeta austriake “Heute“.

Hetimi i Policisë austriake aktualisht përfshin 12 të dyshuar.

(Kosova Sot Online)