Frikë nga dhuna pas zgjedhjeve, barrikadohet Shtëpia e Bardhë

  • G.G /
  • 03 November 2020 - 14:22
Frikë nga dhuna pas zgjedhjeve, barrikadohet Shtëpia e Bardhë

Përreth Shtëpisë së Bardhë, të hënën në mbrëmje, janë vendosur barrikada të reja para zgjedhjeve presidenciale.

Pengesat e vendosura të hënën përreth ndërtesës më të rëndëisshme në këtë shtet janë të ngjashme me ato që u vendosën në qershor, kur Shtetet e Bashkuara u përfshinë nga protestat e dhunshme kundër diskriminimit racor.

Rrethojat janë me tel të dendur që këputet shumë vështirë dhe mbi të cilin zor se mund të ngjiten njerëzit, shkruan Daily Mail.

Televizioni amerikan, “NBC News”, raportoi se kryengritjet e mundshme që mund të shpërthejnë pas zgjedhjeve, sidomos nëse rezultati nuk del të martën në mbrëmje, e ka nxitur policinë metropolitane në Uashington që t’i vendosë 250 trupa në gjendje gatishmërie.

Masat shtesë të sigurisë u morën në kohën kur presidenti Donald Trump po përgatitet të mbajë një ndejë në mbrëmje në Shtëpinë e Bardhë. Në listën e të ftuarve janë 400 aleatë të ngushtë, këshilltarë dhe përkrahës besnikë.

Shqetësimet për trazira të mundshme në ditën e zgjedhjeve dhe pas saj nuk kufizohen vetëm te Shtëpia e Bardhë. Në disa qytete në mbarë vendin njerëzit i kanë mbuluar me materiale të forta xhamat e dyqaneve, zyrave, restoranteve, hoteleve dhe pronave tjera për shkak të frikës nga shpërthimi i dhunës.

Nuk është e qartë se sa rezultate do të publikohen të martën në mbrëmje, ndërsa ekspertët kanë thënë se mund të nevojiten disa ditë për t’u shpallur përfundimisht fituesi, duke nxitur potencialisht protesta.

(Kosova Sot Online)