Rikthimi i Kujtimit si terrorist pasi Austria e ndihmoi të deradikalizohej

  • G.G /
  • 03 November 2020 - 14:47
Rikthimi i Kujtimit si terrorist pasi Austria e ndihmoi të deradikalizohej

Kujtim Fejzullahi është një prej terroristëve të përfshirë mbrëmë në sulmin e përgjakshëm në Vjenë që la të vdekur katër persona dhe dhjetëra të plagosur.

Fejzullahi i lindur në Vjenë më herët kishte bërë përpjekje për t’u larguar drejt Sirisë, megjithatë ishte kapur nga autoritetet austriake dhe ishte dënuar më 22 muaj burg.

Avokati austriak Nikolaus Rast, që e kishte mbrojtur ka folur tashmë pas sulmit që terroristi Kujtim Fejzullahi ka kryer mbrëmë në Vjenë, duke thënë se nuk e kishte besuar asnjëherë që Kujtim Fejzullahi do të bëhej një vrasës.

“Asnjëherë se kam menduar që do të ishte e mundur që ai të bëhej një vrasës”, ka thënë Rast, shkruan Krone Zeitung.

Ai ka thënë se Kujtim Fejzullahi kishte lindur në Modling dhe vinte nga një familje normale me prejardhje nga një fshat i Maqedonisë së Veriut. Sipas avokatit, ai ishte radikalizuar në një Xhami në Austri.

Avokati ka thënë se Fejzullahi e kishte vizituar në mënyrë të rregullt një Xhami ku edhe është radikalizuar.

Avokati austriak, Nikolaus Rast

Rast ka thënë se ish-klienti i tij kishte qenë një person i çorientuar që po kërkonte të gjente një shteg në jetën e tij.

“Për mua ishte një djal i ri i cili ishte mjaftueshëm i pa fat për të bërë shoqëri të keqe”, ka thënë avokati.

Gjithashtu përgjatë procesit gjyqësor, Fejzullahi ishte identifikuar si një përkrahës i ISIS-it.

Avokati që e kishte mbrojtur vitin e kaluar ka treguar se Kujtim Fejzullahi kishte qenë nën vëzhgim të “Derad Association”, që është e specializuar për deradikalizim dhe ishte vlerësuar se Kujtimi nuk ishte i rrezikshëm, përndryshe ai nuk do të ishte liruar me kusht nga burgu më 5 dhjetor të 2019-ës.

(Kosova Sot Online)