Detajet e fundit për sulmin terrorist në Vjenë, Ministri: Ka gjasa që sulmuesi ka vepruar i vetëm

  • G.G /
  • 03 November 2020 - 15:53
Detajet e fundit për sulmin terrorist në Vjenë, Ministri: Ka gjasa që sulmuesi ka vepruar i vetëm

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer para pak minutash ka dalë në një konferencë për media ku ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të sulmit të mbrëmshëm terrorist që ndodhi në qendër të Vjenës.

Ai ka thënë se katër persona janë vrarë dhe 22 janë plagosur në këtë sulm terrorist, ndërsa tha se vrasësi i vetëm aktualisht dëshmohet të jetë shqiptari Kujtim Fejzullahi, me origjinë nga Tetova e Maqedonisë së Veriut.

“Tani për tani nuk ka prova për një autor të dytë”, tha Nehammer.

Vrasësi me nënshtetsi austriake mbante një kallashnikov, një pistoletë dhe një thikë të madhe, kur hapi zjarr pak para orës 20:00 të mbrëmjes së djeshme. Ai u qëllua për vdekje nga Policia rreth 9 minuta më pas.

Sipas Nehammer, 20-vjeçari ishte përpjekur t’i bashkohej organizatës terroriste ISIS në vitin 2019 dhe për këtë ishte dënuar me 22 muaj burg, por u lirua përpara se t’i përfundonte dënimi.

“Pati një lirim të parakohshëm të një njeriu të radikalizuar”, tha ministri me pendim.

Ai kishte arritur ta tejkalonte programin e deradikalizimit, tregon ministri.

“Tani sistemi duhet të rivlerësohet dhe optimizohet së bashku me Zyrën Federale dhe Shtetërore për Mbrojtjen e Kushtetutës në mënyrë që të ndërmarrë veprime më të mira kundër njerëzve të radikalizuar”, tha Nehammer.

Mbi një terabajt të dhënash u janë transmetuar autoriteteve austriake që kanë nisur një hetim të gjerë që përfshin shumë njerëz. Deri më tani, rreth gjysma e këtyre të dhënave janë vlerësuar, tregoi ministri.

Sipas tij, Fejzullahi vetë i ka vrarë 4 persona dhe i ka plagosur 22 të tjerë, 7 prej të cilëve po luftojnë ende me vdekjen në spital.

“Nga 22 të plagosur, disa janë ende duke luftuar me jetën e tyre për momentin”, pohoi ministri. 

(Kosova Sot Online)