A e kreu Kujtim Fejzullahu i vetëm sulmin? Policia e Vjenës publikon të dhënat e fundit

  • E.K /
  • 03 November 2020 - 16:20
A e kreu Kujtim Fejzullahu i vetëm sulmin? Policia e Vjenës publikon të dhënat e fundit

16:11- Policia vjeneze ka përditësuar të dhënat në lidhje me sulmin e mbrëmshëm terrorist në Vjenë.

Sipas të dhënave të fundit, dy burra dhe dy gra kanë vdekur nga plagët pasi sulmuesi ka hapur zjarr në gjashtë lokacione në qendrën e qytetit.

“Dy burra dhe dy gra kanë vdekur pas plagëve të marra nga sulmuesi i cili ka hapur zjarr në gjashtë lokacione në qendër të Vjenës të hënën mbrëma. 22 persona tjerë janë të plagosur. Oficeri i policisë i cili është plagosur nga të shtënat është në përkujdesje shëndetësore dhe është duke u mjekuar. Një sulmues është vrarë nga njësia speciale i cili është identifikuar si 20-vjeçar me dyshtetësi(Austriake dhe Maqedone) i cili ka pasur të kaluar kriminale në lidhje me terrorizëm. Është ende e paqartë, nëse sulmuesi i dytë është në arrati, megjithatë është e mundur që sulmuesi ka qenë i vetëm. Përgjatë vazhdimit të hetimeve, janë bastisur 18 shtëpi dhe 14 persona janë arrestuar”, thuhet në njoftimin e policisë së Vjenës.

Në sulmin terrorist, të cilësuar nga autoritetet austriake, me motive islamike, kanë vdekur katër persona. Një nga sulmuesit është vrarë, e sipas mediave në Austri, është shqiptar i Maqedonisë Veriore. Të tjerët janë në kërkim. Në këtë artikull gjejini raportimet e fundit mbi sulmin në Vjenë.

15:49 – Ministri: Ka gjasa që sulmuesi ka vepruar i vetëm

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer para pak minutash ka dalë në një konferencë për media ku ka bërë një vlerësim të përgjithshëm të sulmit të mbrëmshëm terrorist që ndodhi në qendër të Vjenës.

Ai ka thënë se katër persona janë vrarë dhe 22 janë plagosur në këtë sulm terrorist, ndërsa tha se vrasësi i vetëm aktualisht dëshmohet të jetë shqiptari Kujtim Fejzullahi, me origjinë nga Tetova e Maqedonisë së Veriut, transmeton Gazeta Express.

“Tani për tani nuk ka prova për një autor të dytë”, tha Nehammer.

Katër civilë janë vrarë dhe 22 janë plagosur gjatë sulmit terorist të së hënës në Vjenë.

Ministri i Brendshëm austriak, Karl Nehammer tha se 14 persona janë arrestuar në lidhje me sulmin në Vjenë.

Ai shtoi se pas bastisjes së shtëpisë së sulmuesit, tashmë të vrarë, janë kryer edhe 18 bastisje.

Ministri i Brendshëm austriak tha se bazuar nga të dhënat, nuk ka indikacione se edhe një sulmues i dytë ka qenë i përfshirë në sulmin në Vjenë.

Ai po ashtu shtoi se sulmuesi në Vjenë, dukej se ishte integruar në shoqërinë austriake, por në fakt ishte e kundërta.

13:37 – Tre policët që i luftuan dje terroristët në Vjenë ishin nga Kosova, thotë ministrja Haradinaj në Berlin

Tre policë që luftuan dje me terroristët ishin shqiptarë nga Kosova, shkruan Gazeta Express. Kështu tha ministrja e jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla sot në Berlin, para takimit me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Heiko Maas.

“Kosova dënon njëzëri sulmet e natës së shkuar në Vjenë. Nuk do të jap komente mbi burime të pakonfirmuara, por do të doja të nenvizoja disa fakte të rëndësishme mbi atë çfarë ka ndodhur dje. Tre prej efektivëve të policisë që iu përgjigjën sulmeve të mbrëmshme ishin shqiptarë, shtetas të Kosovës, të cilët jetojnë të mirintegruar në Vjenë dhe punojnë e luftojnë krahas qytetarëve austriakë për të mbrojtur vlerat dhe qëllimet që ne ndajmë me popullin austriak”, tha ministrja e Jashtme e Kosovës.

Ajo tha se Kosova qëndron përkrah aleatëve në luftën kundër ISIS-it dhe terrorizmit.

12:58 – Shpërndahet policia austriake, kap një radikalist tjetër islamik në Linz

Pas sulmit të mbrëmshëm në Vjenë, ku mbetën të vdekur katër viktima dhe një prej terroristëve që kishte nisur sulmin, Policia ka filluar arrestimet edhe në qytete tjera të Austrisë, raporton Express.

Një operacion i madh policor në lidhje me sulmin terrorist në Vjenë u zhvillua sot në Gürtelstrasse në Linz, shkruajnë mediat austriake.

Sipas informacionit fillestar, një burrë u arrestua dhe u mor nga forcat policore Cobra në Linz.

Sipas Krone.at, kishte një operacion të madh policor rreth orës 10 të mëngjesit në jug të Linzit. Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës ishte gjithashtu e përfshirë.

Çka dihet deri tash?

Bota është tronditur të hënën mbrëma nga një sulm terrorist në disa qendra të Vjenës, kryeqytetit të Austrisë e një prej kryeqendrave kulturore të Evropës.

Katër qytetarë kanë vdekur, dy burra dhe dy gra tashmë kanë vdekur. Përveç tyre është vrarë edhe një nga sulmuesit, për të cilin mediat austriake raportuan se është shtetas i Maqedonisë Veriore, me prejardhje shqiptare. Tashmë është publikuar edhe identiteti i tij. Kujtim Fejzullai raportohet se ishte 20-vjeçar. Ai është përshkruar nga autoritetet austriake si person i radikalizuar dhe terrorist islamik.

Kancerlari austriak, Sebastian Kurz, i ka përshkruar sulmet “përfundimisht” terroriste që kanë qenë shumë profesionalisht të planifikuara.

Ministri i Punëve të Brendshme, Karl Nehammer, e ka përshkruar sulmuesin si një terrorist islamik dhe ka thënë se besohet që janë përfshirë më shumë se një sulmues e hetimet po vazhdojnë. Mijëra policë janë në kërkim të të dyshuarve të tjerë.

Sipas mediumit austriak, Heute, të dyshuarit e tjerë për lidhje me sulmin janë me origjinë të huaj. Ata kanë rrënjë kryesisht nga Çeçenia dhe Evropa juglindore. Hetimi i Policisë austriake aktualisht përfshin 12 të dyshuar.

Sulmet nisën me gjuajtje me armë në hapësira publike. Një nga sulmuesit u vra jashtë Kishës së Shën Rupert. Në trupin e tij u gjet sasi eksplozivi. Më vonë, policia tha se eksplozivi ishte fals.

Policia bëri thirrje që të zbrazen rrugët e qytetit, u kërkoi banorëve që të mbylleshin nëpër shtëpi dhe të mos dilnin, nga frika se sulme të tjera do të ndodhnin në qytet.

Policia ka bërë kërkime në shtëpinë e sulmuesit që u vra. Policët kanë kërkuar që të mos shpërndahen në rrjete sociale pamje nga sulmet, megjithatë mijëra prej tyre janë publikuar.

Sulmi ndodhi një natë para se Vjena të hynte në izolim të ri për shkak të rritjes së rasteve me koronavirus.

Shkollat do të jenë të gjitha të mbyllura në Vjenë gjatë së martës.

Sulmet terroriste i kanë dënuar liderë të botës, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, presidenti francez, Emanuel Macron, kancelarja gjermane, Angela Merkel.

Ndonëse sulmi është konsideruar se ka pasur “motiv islamik”, kancelari Kurz thotë se ngjarja që ndodhi nuk është sulm mes myslimanëve e të krishterëve.

Ndërkohë, pas sulmit të mbrëmshëm në Vjenë, ku mbetën të vdekur katër viktima dhe një prej terroristëve që kishte nisur sulmin, Policia ka filluar arrestimet edhe në qytete tjera të Austrisë.

Një operacion i madh policor në lidhje me sulmin terrorist në Vjenë u zhvillua sot në Gürtelstrasse në Linz, shkruajnë mediat austriake, raporton Express.

Sipas informacionit fillestar, një burrë u arrestua dhe u mor nga forcat policore Cobra në Linz.

Sipas Krone.at, kishte një operacion të madh policor rreth orës 10 të mëngjesit në jug të Linzit. Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës ishte gjithashtu e përfshirë.

Sipas mediave atje, bëhet fjalë për një islamik radikal të njohur, ndërkaq sipas dëshmitarëve, i dyshuari dhe dy të tjerë janë marrë nga policia.

(Kosova Sot Online)