Numri i të vdekurve nga sulmi i Vjenës mund të rritet, tre të plagosur në gjendje kritike

  • E.K /
  • 03 November 2020 - 17:13
 Numri i të vdekurve nga sulmi i Vjenës mund të rritet, tre të plagosur në gjendje kritike

Kryetari i Vjenës, Michael Ludwig, ka thënë se tre të plagosur nga sulmi që ndodhi të hënën në mbrëmje ndodhen në gjendje kritike.

Kryebashkiaku i kryeqytetit austriak njoftoi se nga 24 persona të lënduar që janë sjellë në spitalet e Vjenës, një ka vdekur, dhjetë janë liruar në shtëpi dhe 13 janë duke u trajtuar ende, prej të cilëve tre në gjendje kritike.

Pak minuta para konferencës së kryetarit të Vjenës, konferencë për gazetarë mbajti edhe ministri i Brendshëm i Austrisë, Karl Nehammer, i cili tha se numri i të plagosurve është 22, shkruan Reuters.

Ndryshe, një ndër autorët e sulmit është një i ri me prejardhje nga Maqedonia Veriore, një viktimë është gjithashtu një shqiptar, ndërsa gjatë të shtënave kundër sulmuesve ka qenë e përfshirë një police shqiptare.

Ky sulm ndodhi vetëm disa ditë pas një sulmi tjetër të tmerrshëm në Nicë dhe një sulmi tjetër në Paris. Evropa është tronditur dhe është vënë në gjendje alarmi pas këtij vargu të sulmeve, duke e rritur nivelin e vigjilencës së autoriteteve të sigurisë.

(Kosova Sot Online)