“Vjenën e përfshiu një hallakamë ku secili ishte i shqetësuar”, rrëfimi i gjakovarit që përjetoi momentet e tmerrit në Vjenë

  • E.K /
  • 03 November 2020 - 18:22
 “Vjenën e përfshiu një hallakamë ku secili ishte i shqetësuar”, rrëfimi i gjakovarit që përjetoi momentet e tmerrit në Vjenë

Anëtari i komunitetit shqiptar në Austri, Ermal Vejsa, dëshmitar i ngjarjes trishtuese që ndodhi mbrëmë në Vjenë ka rrëfyer momentet e sulmit që la të vdekur 5 persona dhe 22 të plagosur.

Djali me prejardhje nga Gjakova që jeton në Vjenë, pohon se komuniteti shqiptar mbrëmë kishte organizuar një aktivitet në të cilin është shfaqur një film, në prani të rreth 80 pjesëmarrësve.

Por, ata shpejt u informuan për sulmin që ndodhi dhe pasi dolën nga aty e panë qytetin në hallakamë ku secili ishte i shqetësuar.

“Në Vjenë nuk jemi mësu me kësi lloj sulme, mbrëmë kemi shfaqur një film, ne kemi marrë lajmin pas 10 minutave, nuk mujtëm si organizatorë me marrë iniciativë në atë moment…Qytetin e kshte përfshi një hallakamë ku secili ishte i shqetësuar”, tha Vejsa.

“Ne si pjesë e aktiviteti ishin rreth 80 veta, secili u shpërndamë dhe vazhduam në rrugët tona…Gjithëve ju kemi thënë që mos të përdorin transportin publik… Kam kontaktu secalin me rend mbrëmë e kam vërejtur që shumë shokë e shoqe mes vete kanë shku në adresën e parë të mundshme, ka pas mysafirë që janë strehu në një hyrje të banesës. Taksitë nuk funksionojshin ishte thirrja që transporti publik të mos përdorej”, tha ai ndër të tjera.

(Kosova Sot Online)