Paralajmërohen vonesa për rezultatin e zgjedhjeve në ShBA, sonte s’do të dihet asgjë

  • E.K /
  • 03 November 2020 - 19:03
 Paralajmërohen vonesa për rezultatin e zgjedhjeve në ShBA, sonte s’do të dihet asgjë

Sekretarja e Shtetit në Pensilvani, Kathy Boockvar, u bëri thirrje të martën votuesve që të kenë durim dhe ua përkujtoi faktin se numërimi i votave kurrë nuk përfundon në ditën e zgjedhjeve.

“Numërimi i votave kurrë nuk përfundon në ditën e zgjedhjeve dhe nëse ne e ndërpresim numërimin e votave në ditën e zgjedhjeve, ne do t’ua merrnim të drejtën e votës të gjithë burrave dhe grave që i shërbejnë vendit tonë, të gjithë votuesve civilë dhe ushtarakë jashtë vendit, votave e të cilëve me ligj duhet të pranohen deri në shtatë ditë pas zgjedhjeve”, tha ajo.

“Unë e di se askush nga ne nuk dëshiron t’ua marrë të drejtën e votës tërë ushtarëve dhe votuesve jashtë vendit dhe as miliona votuesve të tjerë në Pensilvani që e kanë ushtruar të drejtën e tyre themelore për të votuar”, shtoi zonja Boockvar.

“Ne jemi të vetmit që në fakt mund t’i shpallim rezultatet të përfunduara ose numërimin e votave të përfunduar. Të gjithë duhet të kenë durim”, theksoi zyrtarja e lartë e një prej shteteve më vendimtare në këto zgjedhje.

Ndryshe, numri i amerikanëve që kanë zgjedhur të votojnë përmes postës në zgjedhjet presidenciale është shumë i madh këtë vit për shkak të rrezikut nga koronavirusi.

Numërimi i votave të dërguara me postë mund ta zgjasë procesin dhe ta ngadalësojë nxjerrjen e rezultatit përfundimtar, sepse shtetet kanë afate të ndryshme për pranimin dhe numërimin e këtyre votave.

(Kosova Sot Online)