Trumpi fiton në Florida, garë e ngushtë në Pensilvani dhe Michigan

  • G.G /
  • 04 November 2020 - 10:00
Trumpi fiton në Florida, garë e ngushtë në Pensilvani dhe Michigan

Kandidati republikan për president të ShBA-së, Donald Trump, ka fituar në Florida, një ndër shtetet kyçe në garën për president, por është duke u përballur me garë të ngushtë në tri shtete tjera të rëndësishme – Michigan, Penslivani dhe Wisconsin.

Katër vjet pasi Trumpi u bë republikani i parë në një gjeneratë që fitoi në këto tri shtete, ato përsëri pritet që ta përcaktojnë drejtimin e garës. Megjithatë, Bideni fitoi në Arizona, që gjithashtu është shtet i rëndësishëm në garë, duke ia zgjeruar rrugët e mundshme drejt fitores, shkruan AP.

Deri në orët e mëngjesit të së mërkurës, asnjëri kandidat nuk ka rritur t’i sigurojë 270 votat e nevojshme të Kolegjit Zgjedhor, të cilat do ta shpallnin fituesin e zgjedhjeve. Gara e ngushtë pasqyron një komb thellë të polarizuar, i cili po përballet me krizën më të rëndë shëndetësore në më shumë se një shekull, me miliona vende pune të humbura dhe me padrejtësi racore.

Gjatë një konference për gazetarë, Trumpi pa fakte e shpalli fitoren dhe bëri akuza të pabaza për mashtrim në zgjedhje, duke paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për të kërkuar që procesi i numërimit të votave të ndërpritet.

Në anën tjetër, demokrati Joe Biden ka thënë se nuk u përket kandidatëve për president që ta shpallin fituesin e zgjedhjeve, sepse këtë e bëjnë votuesit.

Donald Trump ka arritur ta mbajë fitoren në Teksas, Iowa dhe Ohio, por Bideni fitoi në disa shtete ku Trumpi synonte të bënte konkurrencë, si New Hampshire dhe Minnesota.

Ndër faktorët që ia siguruan fitoren Trumpit në Florida ishte përkrahja që pati nga komuniteti latin, sidomos amerikanët me prejardhje kubane.

(Kosova Sot Online)