Trumpi kërkon ndërprerje të numërimit, reagon ashpër kampi i Bidenit

  • G.G /
  • 04 November 2020 - 10:31
Trumpi kërkon ndërprerje të numërimit, reagon ashpër kampi i Bidenit

Pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump, se do të kërkojë nga Gjykata Supreme ndërprerje të numërimit të votave, ka reaguar ashpër kampi i kandidatit demokrat për president, Joe Biden.

“Deklarata e presidentit sonte rreth përpjekjes për ta ndërprerë numërimin e votave të hedhura në mënyrën e duhur ishte tronditëse, e pashembullt dhe jokorrekte”, tha menagjerja e fushatës së Bidenit, Jen O’Malley Dillon, përmes një deklarate.

“Ishte tronditëse, sepse është një përpjekje e qartë për t’ua marrë të drejtat demokratike qytetarëve amerikanë. Ishte e pashembullt, sepse kurrë më parë në historinë tonë një president nuk ka kërkuar që t’ua marrë zërin amerikanëve në zgjedhje kombëtare”, thuhet në deklaratë.

“Pasi i inkurajoi përpjekjet e republikanëve në shumë shtete për ta parandaluar numërimin ligjor të këtyre votave para ditës së zgjedhjeve, tash Donald Trumpi po thotë se këto vota nuk mund të numërohen as pas ditës së zgjedhjeve”, shtohet më tej në deklaratën e zyrtares së fushatës së Bidenit.

Më herët, përmes një konference për gazetarë, presidenti Donald Trump e shpalli fitoren në zgjedhjet presidenciale, por gjithashtu pretendoi pa fakte se ka pasur mashtrime gjatë procesit, duke paralajmëruar se do t’i drejtohet Gjykatës Supreme për ta kërkuar ndërprerjen e numërimit të votave.

(Kosova Sot Online)