Eksperti i terrorizmit në Austri, jep detaje interesante për sulmin në Vjenë

  • G.G /
  • 04 November 2020 - 13:02
Eksperti i terrorizmit në Austri, jep detaje interesante për sulmin në Vjenë

Eksperti i terrorizmit në Austri, Nicolas Stockhammer, i ka analizuar rrethanat e sulmit terrorist që ndodhi parmbrëmë në vjenë, e që si kryeprotagonist kishte 20-vjeçarin Kujtim Fejzullahi, me origjinë nga Tetova e Maqedonisë së Veriut.

Sipas Stockhammer, ka mundësi që 20-vjeçari ta ketë bërë planin e vdekjes paraprakisht, për shkak se atë mesnatë, Vjena do të hynte në izolim për shkak të përhapjes së koronavirusit.

“Vjena është një destinacion relativisht i butë me një prani relativisht të vogël policie”, tha eksperti i terrorizmit në një intervistë për televizionin austriak, ORF. Ndryshe nga Parisi ose Londra, ai tha se Vjena është përmbajtur nga “lejimi i forcave të armatosura të sigurisë të vrapojnë nëpër rrugë”. Në të njëjtën kohë, eksperti u shpreh se Vjena, si kryeqytet i një vendi neutral, është një destinacion interesant për shkak të vendndodhjes së saj në zemër të Evropës Qendrore me shumë organizata ndërkombëtare përreth.

Eksperti është i mendimit se sulmi mund të kishte ndodhur më vonë, por se është kryer më herët për shkak të izolimit. Ai vlerëson se planifikimi për një sulm të tillë mund të merrte kohë deri në dy javë.

Sipas ekspertit, sulmi nuk erdhi si befasi e plotë, sepse ka pasur incidente në vitet e fundit.

“Vjena nuk është ishulli i të bekuarve, siç duan shumë ta shohin atë”, tha Stockhammer. Ai tha se ka pasur gjithashtu paralajmërime nga shërbimet sekrete vazhdimisht, sepse Austria ka “një skenë islamike relativisht të zhvilluar”.

“Për sa i përket migrimit në të ashtuquajturin kalifat, në Siri dhe Irak, Austria renditet e katërta në Evropë”, tha Stockhammer. Gjithsej 320 luftëtarë ishin zhvendosur nga Austria në Siri dhe Irak. Autori i sulmit ishte gjithashtu në Siri, në tentim për t’iu bashkuar organizatës terroriste ISIS.

Stockhammer nuk beson se sulmi ishte një reagim ndaj koalicionit anti-ISIS të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), siç pretendoi një terrorist, sipas kompanisë amerikane SITE, e cila është e specializuar në monitorimin e faqeve islamike.

“Unë e shoh atë më shumë në kontekstin evropian”, u shpreh eksperti.

Sulmi terrorist në Vjenë la të vdekur 5 persona (përfshirë autorin që u ekzekutua nga Policia). Nga të shtënat, 22 persona mbetën të plagosur, ndërsa disa prej tyre vazhdojnë të trajtohen në spital. Sipas mediave në Austri, katër prej tyre janë në gjendje të rëndë. 

(Kosova Sot Online)