Gjithçka që ndodhi sot në shtëpinë e Jakup Krasniqit deri në momentin e arrestimit të tij

  • E.K /
  • 04 November 2020 - 16:41
 Gjithçka që ndodhi sot në shtëpinë e Jakup Krasniqit deri në momentin e arrestimit të tij

Edhe një figurë e rëndësishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u prangos dhe u dërgua për në Hagë, aty ku po qëndrojnë edhe tre ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Për nëntë orë njësitet e EULEX-it qëndruan në shtëpinë e ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi, i cili sipas familjarëve u veçua në një dhomë në katin e parë të shtëpisë së tij në lagjen Velania në Prishtinë dhe u mor në pyetje për disa orë rresht.

Efektivët e EULEX-it zbarkuan pas orës 06:00 të mëngjesit të sotëm në shtëpinë ku Krasniqi jeton me familjen e tij të ngushtë, e më pas aksioni vazhdoi edhe në shtëpinë tjetër të tij në Negroc të Drenasit.

Familjarët e tij u shprehën të shqetësuar, ku fillimisht reagoi vajza e tij Gresa, e cila me anë të një postimi në Facebook i quajti deputetë të shitur e të ndyrë ata që votuan pro Gjykatës Speciale.

Ndërsa gjatë prononcimeve për media, Gresa tha se ndihen të shqetësuar për mënyrën sesi pjesëtarët e EULEX-it hynë në shtëpinë e babait të saj.

Edhe vëllai i Krasniqit, Dauti ka thënë para mediave se faji është i Parlamentit që ka votuar Gjykatën Speciale.

Pas orës 13:00, Bilall Sherifi, nga partia e Jakup Krasniqit Nisma Socialdemokrate, në një konferencë për media tha se besojnë në pafajësinë e tij dhe sipas tyre ajo që kanë parë sot ishte e panevojshme sepse do të “mjaftonte një ftesë që të parqitej”.

Nuk munguan as reagimet e krerëve shtetërorë, të cilët reaguan nëpër rrjete sociale gjatë kohës sa aksioni po zhvillohej në shtëpinë e Krasniqit.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha ndër të tjera se Kosova, bartësit e institucioneve si dhe qytetarët e saj, në vazhdimësi kanë dhënë shembull të respektimit dhe bashkëpunimit me drejtësinë vendore dhe ndërkombëtare.

Ndërsa, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, theksoi se bastisjet e tilla janë shqetësuese, sidomos në prani të familjarëve.

“Defilimet e tilla nga EULEX, veçanërisht në prani të familjarëve janë traumatike dhe paraqesin ushtrim të forcës joproporcionale që nuk respektojnë dinjitetin njerëzor”, shkroi Haradinaj.

Pak para orës 16:00 pjesëtarët e EULEX bashkë me Jakup Krasniqin u larguan nga shtëpia e tij për t’u nisur për në Hagë.

Jakup Krasniqi ka qenë zëdhënës si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai është intervistuar në korrik të vitit të kaluar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë.

Pasi njoftoi për pranimin e ftesës nga Gjykata Speciale, Krasniqi ishte shprehur në profilin e tij në Facebook:

“Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale”, pati deklaruar Krasniqi.

Jakup Krasniqi ka mbajtur poste të larta pas luftës në Kosovë, si atë të Kryetarit Kuvendit të Kosovës, ministër i Shërbimeve Publike etj.

Tani Krasniqi mban postin e kryetarit të Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate.

(Kosova Sot Online)