Vëllai i Jakup Krasniqit tregon se çka morën zyrtarët e Eulexit nga shtëpia e ish-krye parlamentarit

  • E.K /
  • 04 November 2020 - 16:53
 Vëllai i Jakup Krasniqit tregon se çka morën zyrtarët e Eulexit nga shtëpia e ish-krye parlamentarit

Pas më shumë se nëntë orëve bastisje, pjesëtarët e EULEX-it kanë nxjerrë nga shtëpia e tij, ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Jakup Krasniqi. Avokati i ish-kryeparlamentarit, Valon Hasani konfirmoi që Krasniqi tashmë është nisur për në Hagë dhe se shumë shpejt do të dihet edhe dita e seancës.

E pak minuta pas arrestimit të Krasniqit, në një deklaratë detaje ka dhënë vëllai i tij, Dauti.

Ai ka treguar detjaje të asaj se çka hetuesit e Eulexit kanë marrë nga shtëpia e vëllait të tij.

“Është punë e tyre. Ata e kanë kry punën e tyre. Nuk ka çka të thuhet aty më shumë. E kanë marrë sa e di unë një kompjuter dhe disa dokumente të tjera. Çka kanë gjetur kanë marrë. Nuk janë sjellë keq”, thotë Daut Krasniqi.

Gjatë ditës, pjesëtarë të EULEX-it, kanë kryer një bastisje në shtëpinë e Jakup Krasniqi.

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, kanë njoftuar të mërkurën se Zyra e Prokurorit të Specializuar aktualisht është duke kryer operacione në Prishtinë.

Jakup Krasniqi, i cili nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë është intervistuar në korrik të vitit të kaluar, ka qenë zëdhënës, si dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Më herët gjatë ditës, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se po i përcjell veprimet e EULEX-it lidhur me ish-kryetarin e Kuvendit, Jakup Krasniqi.

“Prezumimi i pafajësisë duhet të respektohet në çdo rast përderisa nuk ka një vendim tjetër të gjykatës kompetente. Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të patjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, thuhet ndër tjerash në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

(Kosova Sot Online)