Lahi Brahimaj për arrestimin e Jakup Krasniqit: E tepruar, e panevojshme

  • E.K /
  • 04 November 2020 - 17:29
 Lahi Brahimaj për arrestimin e Jakup Krasniqit: E tepruar, e panevojshme

Ish-anëtari i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Lahi Brahimaj ka reaguar pas arrestimit dhe transferimit për në Hagë të Jakup Krasniqit.

Në një lidhje direkte, Brahimaj e ka cilësuar si të tepruar e të panevojshme operacionin e zhvilluar nga Dhomat e Specializuaranë shtëpinë e ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit.

“Për besë, e tepruar, e panevojshme…”, ka thënë Brahimaj ndër tjerash.

Jakup Krasniqi për orë të tëra është marrë në pyetje nga hetuesit e Speciales në njërën nga dhomat e shtëpisë së tij në Velani. Marrja në pyetje kishte filluar rreth orës 06:30 të mëngjesit dhe përfundoi rreth orës 03:30, kur ai u nis për në Hagë.

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i përlotur ka folur në një konferencë për media pas arrestimit dhe nisjes së anëtarit të kësaj partie, Jakup Krasniqi, për në paraburgimin e Dhomave të Specializuara në Hagë.

Limaj ka thënë se s’ka pasur nevojë që Dhomat e Specializuara të veprojnë me forca aq të mëdha policore.

“Ne mendojmë që kanë qenë tërësisht të panevojshme skenat e tilla. Angazhimi i shumë forcave policore ka qenë në disproporcion me nevojën. Nëse ka qenë e nevojshme për drejtësinë, ka mundur të bëhet krejt ndryshe, pa pasë nevojë për përforcime të tilla, t’i shkohet në 6 të mëngjesit t’i futet në shtëpi në këtë kohë COVID-i, pa pasë nevojë t’ia traumatizojë familjen. Por thjesht duke e njohur personalitetin e Jakup Krasniqit, kjo ka mundur të bëhet në mënyrë krejt tjetër”, ka thënë Limaj.

(Kosova Sot Online)