Klinaku: Para-aktakuzat e Krasniqit dhe Selimit i kemi pasur në zyre

  • E.K /
  • 04 November 2020 - 21:23
 Klinaku: Para-aktakuzat e Krasniqit dhe Selimit i kemi pasur në zyre

Sekretari i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, tha se në zyrën e tyre i kanë pasur para-aktakuzat e Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Klinaku tha se këto para aktakuza i kanë pasur në kohën kur u janë dorëzuar dosjet në zyret e tyre, të cilat edhe i kanë publikuar.

“Informacionet se kur do të ftohen nuk i kemi pas, por i kemi pas para  aktakuzat në zyre. Para-aktakuza, është aktakuzë e pakonfirmuar. Ne këto veprime të Gjykatës Speciale i konsiderojmë të kundërligjshme, pasi mandati i tyre ka përfunduar më 3 gusht”, tha Klinaku.

Pjesëtarët e EULEX-it sot bastisën shtëpinë e Jakup Krasniqit, të cilën më pas edhe e arrestuan. Krasniqi është arrestuar pas 10 orësh bastisjeje në shtëpinë e tij, ndërsa pritet transferimi i tij në Hagë.

Rreth një orë më parë, konfirmimin e aktakuzës ndaj tij, e konfirmoi edhe Rexhep Selimi, i cili tha se nesër do të niset për në Hagë.

(Kosova Sot Online)