Fqinja e terroristit shqiptar që tmerroi botën tregon se çka i kishte ndihmuar 20-vjeçari para se të kryente vrasjet

  • G.G /
  • 05 nëntor 2020 - 07:37
Fqinja e terroristit shqiptar që tmerroi botën tregon se çka i kishte ndihmuar 20-vjeçari para se të kryente vrasjet

Kujtim Fejzullai, 20-vjeçari me origjinë shqiptare nga Maqedonia e Veriut dhe i lindur në Austri, kishte ndihmuar fqinjët disa orë përpara se të kryente sulmet vrastare.

68-vjeçarja Gordana Nikoliç, fqinje në pallatin ku banonte Fejzullai në Vienë, ka treguar për mediat vendase se Kujtimi e kishte ndihmuar me çantat e pazarit për t’i ngritur deri në apartamentin ku ajo banon.

“Ai po zbriste shkallët nga apartamenti i tij dhe u turr drejt meje për të më ndihmuar me çantat. I thashë se nuk ishte e nevojshme, por ai këmbënguli të më ndihmonte. Kështu që mori çantat dhe i vendosi tek dera e banesës time. Ai ishte i qeshur, i lumtur dhe po bisedonte, dukej krejtësisht normal”, ka thënë 68-vjeçarja.

Gjashtë orë pas këtij veprimi, 20-vjeçari doli i armatosur në rrugët e Vienës dhe nisi të qëllonte ndaj qytetarëve.

Kujtim Fejzullai mbeti i vrarë nga përballja me policinë. Sulmet ndodhën në mënyrë të koordinuar në 6 zona të ndryshme të kryeqytetit të Austrisë. Katër persona u vranë nga këto sulme dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.

Fqinjët e Kujtim Fejzullai kanë thënë se 20-vjeçari ishte takuar atë ditë me dy persona të tjerë.

“Si mund ta merrja me mend që djalli jetonte përballë derës time? Është e frikshme kur mendon që një vrasës jetonte kaq pranë shtëpisë tënde. Të duket e pabesueshme”, ka thënë Kevin Dima, një djalë 26-vjeçar, banor i pallatit ku jetonte Kujtim Fejzullai.

(Kosova Sot Online)