Kadri Veseli: Specialen e krijuam vetë, s’duhet të ketë hatërmbetje ndaj ndërkombëtarëve që punojnë aty

  • G.g /
  • 05 November 2020 - 10:57
Kadri Veseli: Specialen e krijuam vetë, s’duhet të ketë hatërmbetje ndaj ndërkombëtarëve që punojnë aty

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, e ka bërë një deklaratë me shkrim pas konfirmimit të aktakuzës ndaj tij.

Teksa ka njoftuar se Specialja dje pasdite e ka informuar për konfirmimin e aktakuzës, Veseli ka kujtuar se Tribunali Special është krijuar nga Kuvendi i Kosovës për të shërbyer në emër të popullit.

Veseli ka bërë thirrje që të mos ketë asnjë hatërmbetje ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në këtë Tribunal.

“Ju lutem të keni parasysh se ky tribunal u krijua nga Kuvendi i Kosovës, për të shërbyer në emër të popullit. Ajo është mishërimi i parimit se nuk mund të ketë paqe pa drejtësi, dhe nuk mund të ketë drejtësi pa paqe. Edhe pse e ka selinë në Hagë, ajo është pjesë e sistemit tonë ligjor. Nuk duhet të ketë asnjë hatërmbetje drejtuar ndaj ndërkombëtarëve që punojnë në këtë tribunal. Ata janë duke bërë punën që populli i Kosovës ka kërkuar që ta bëjnë. Ky tribunal është pjesë e rrugëtimit të shtetëndërtimit të Kosovës, dhe ne duhet ti shkojmë deri në fund”, thuhet në deklaratën e Veselit.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka njoftuar gjithashtu se ka vendosur që të tërhiqet nga të gjtitha aktivitetet publike e politike për sa kohë të zgjasë ky proces. 

(Kosova Sot Online)