Veseli: E vlerësoj që Specialja nuk më arrestoi në mënyrë të padinjitetshme

  • G.G /
  • 05 November 2020 - 11:37
Veseli: E vlerësoj që Specialja nuk më arrestoi në mënyrë të padinjitetshme

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, sot ka njoftuar se i është konfirmuar aktakuza nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale.

Në njoftimin për konfirmimin e aktakuzës, Veseli ka deklaruar se e vlerëson faktin që Dhomat e Specializuar kanë treguar mirësjellje dhe nuk e kanë arrestuar në mënyrë të padinjitetshme.

“E vlerësoj faktin që Dhomat e Specializuara kanë treguar mirësjellje duke më nisur një ftesë për tu paraqitur në gjykatë, në vend se të më arrestonin në mënyrë të padinjitetshme. Unë i jam përgjigjur këtij akti mirësjelljeje, duke u pajtuar që të udhëtoj këtë mëngjes për në Hagë me përfaqësues të tribunalit, ku formalisht do të paraqitem para trupit gjykues për t’iu përgjigjur akuzave të bëra dhe për të nisur një proces të gjatë të mbrojtjes”, ka shkruar Veseli.

Veseli bëri të ditur se do të tërhiqet nga të gjitha aktivitetet politike e publike, për sa kohë të zgjasë procesi në Dhomat e Specializuara.

“Kjo gjë do të kërkojë angazhimin dhe përqendrimin tim të plotë, dhe prandaj kam vendosur që të tërhiqem nga të gjitha aktivitetet publike e politike për sa kohë zgjatë ky proces. Nuk do të bëj deklarata të tjera publike apo paraqitje zyrtare në Kosovë ndërkohë që procesi gjyqësor vazhdon. Të paktën për momentin, jam një qytetar privat. Deri në fund të këtij procesi, do të kërkoja që ky qëndrim i imi të respektohet nga të gjithë në Kosovë, veçanërisht nga ata të cilët janë të angazhuar në media apo në jetën publike dhe politike”, ka deklaruar Veseli.

(Kosova Sot Online)