Lladrovci: Armiqtë tanë e arritën, drejtuesit e UÇK-së e përjetuan përndjekjen

  • G.g /
  • 05 November 2020 - 12:17
Lladrovci: Armiqtë tanë e arritën, drejtuesit e UÇK-së e përjetuan përndjekjen

Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka reaguar pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara për presidentin Hashim Thaçi.

Lladrovci ka shkruar në Facebook se është i shokuar nga lajmet se pas Kadri Veselit, i është konfirmuar aktakuza edhe Thaçit.

“I nderuari President Thaçi, jam i tronditur nga lajmet e sotme se pas Kadri Veselit, po konfirmohet akuza edhe për Juve. Lajm sa trishtues, aq i pabesueshëm, sepse, këtë nuk e ka merituar as shteti ynë, as qytetarët tanë, as familjet Tuaja. Ju z. President me UÇK-në dhe popullin, keni qenë në anën e duhur të historisë, prandaj morën përkrahjen nga NATO dhe bota demokratike”, ka shkruar Lladrovci.

Lladrovci ka shkruar se se UÇK ishte pasojë e terrorit dhe gjenocidit që ka ushtruar Serbia për gati një shekull kundër qytetarëve të Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës, në krye me Komandantin legjendar Adem Jashari, ishte pasojë e terrorit dhe gjenocidit që ushtronte Serbia për gati një shekull kundër qytetarëve të Kosovës. UÇK është krijuar për ta çliruar Kosovën, në rrethana detyruese për ne, për moralin atdhetar. Prandaj, edhe mbetet ushtria jonë më e lavdishme pas ushtrisë së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe populli ynë liridashës, ishin mburojë e vijë qëndrese nacionale, për të luftuar rrezikun serioz që na kanosej nga gjenocidi serb”, ka shkruar kreu i Drenasit.

Lladrovci thotë se askush nuk mund ta mohojë e as tjetërsojë lirinë e Kosovës.

“Ju z. Presidenti, keni prezantuar përkushtimin atdhetar të gjeneratave të tëra për liri, prezantuat sakrificën gati një shekullore që synonin lirinë dhe çlirimin. Liria jonë, megjithatë u bë realitet. Këtë, kurrë, askush as mund ta mohojë, as ta tjetërsojë. Në kohën kur po prisnim të marrim përkrahje për fuqizimin e shtetësisë, sundimin e ligjit dhe mirëqenies së qytetarëve, ne marrim lajm trishtues. Armiqtë tanë, e arritën. Të gjithë drejtuesit madhor të UÇK-së, e përjetuan përndjekjen. Po, kjo është sakrifica juaj e radhës, për Kosovën dhe kombin tonë”, ka shkruar Lladrovci.

(Kosova Sot Online)