Isufi i AAK’së: Kërkojmë të ndërpritet dialogu me Serbinë, deri në qartësim të gjërave

  • G.G /
  • 05 November 2020 - 14:13
Isufi i AAK’së: Kërkojmë të ndërpritet dialogu me Serbinë, deri në qartësim të gjërave

Nënkryetari i AAK’së, Ahmet Isufi, në një konferencë për media ka deklaruar se Kosova duhet ta ndërpresë dialogun me Serbinë. AAK ka kërkuar që të mblidhet Qeveria dhe të thirret seancë e jashtëzakonshme të Kuvendit.

Isufi deklaroi se çdo ftesë e Gjykatës Speciale ndaj ish-ushtarëve të UÇK’së është e papranueshme.

Ai tha se nuk ka ndonjë sinjal për ngritje të aktakuzës ndaj shefit të Grupit Parlamentar të AAK’së, Daut Haradinajt.

“Nuk kemi ndonjë sinjal në këtë drejtim, megjithatë çdo ushtar që thirret për t’u akuzuar në Gjykatën Speciale për neve është e papranueshme, sepse e vërteta është në anën tonë.  Nuk është fjala për individët, por për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”, ka deklaruar Isufi.

Isufi tha se AAK kërkon që Kosova të mos i vazhdojë negociatat me Serbinë.

“Kërkojmë që të ndërpritet dialogu me Serbinë deri në një situatë kur qartësohen gjërat. Kemi goditje të drejtpërdrejtë jo vetëm ndaj vlerave të UÇK’së konsiderojmë se po bëhet padrejtësi ndaj Kosovës. Nuk duhet të kemi dialog derisa të qartësohen këto gjëra”, ka deklaruar Isufi.

Ndërkohë, AAK po kërkon mbledhje të jashtëzakonshme të Qeverisë për gjendjen e krijuar pas ngritjes së aktakuzave nga Dhomat e Specializuara.

Po ashtu, mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë së Kosovës për situatën e sigurisë së përgjithshme si dhe seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të vlerave të UÇK-së dhe luftëtarëve të lirisë.

AAK ka kërkuar edhe takim të të gjithë spektrit politik për gjetjen e unitetit kombëtar në ballafaqimin me sfidat politike dhe kushtetuese.

(Kosova Sot Online)