Arsyeja pse Zvicra po angazhon ushtrinë në luftimin e koronavirusit

  • G.G /
  • 06 November 2020 - 08:31
Arsyeja pse Zvicra po angazhon ushtrinë në luftimin e koronavirusit

Ky angazhim përfshin në maksimum 2500 pjesëtarë të ushtrisë, të cilët mund të mbështesin spitalet me përkujdesje ose në transportin e pacientëve

Përfshirja e sërishme e ushtrisë në përpjekjet për frenimin e koronavirusit është paraparë në vendimin që Këshilli Federal ka marrë në mbledhjen e tij të mbajtur dje, më 4 nëntor.

Në mënyrë që të mbështesë kantonet në përballimin e numrit në rritje të shtrimeve në spital dhe pacientëve Covid 19 në kujdes intensiv, Këshilli Federal ka vendosur të angazhojë përsëri ushtrinë.

Ky angazhim përfshin në maksimum 2500 pjesëtarë të ushtrisë, të cilët mund të mbështesin spitalet me përkujdesje ose në transportin e pacientëve.

Për krahasim: në pranverë Këshilli Federal pati vendosur mobilizimi e deri në 8.000 ushtarëve.

Puna e ushtarëve mund të shfrytëzohet, për shembull, për të kontrolluar rastet e dyshuara të Covid-19, për testimet ose për të trajtuar pacientët në përgjithësi, transmeton albinfo.ch.

Ata po ashtu mund të mbështesin spitalet në zgjerimin e kapaciteteve në njësitë e tyre të kujdesit intensiv me material dhe personel ose, si shoferë, të kryejnë transportin e pacientëve infektivë.

Pjesëtarët e forcave të armatosura aktivizohen atëherë kur kantonet e kërkojnë këtë dhe kur të jenë plotësuar kushtet për një aktivizim të tyre.

Kantonet janë ato që duhet të tregojnë se kanë shteruar të gjitha mjetet e tjera, prandaj nevojitet angazhimi i ushtrisë.

Përdorimi i ushtrisë, sipas vendimit të Qeverisë Federale, është i kufizuar deri më 31 mars 2021.

(Kosova Sot Online)