Dyshohet se kontrabandoi 930 teste për COVID-19, i caktohet masa e paraburgimit

  • G.G /
  • 06 November 2020 - 13:46
Dyshohet se kontrabandoi 930 teste për COVID-19, i caktohet masa e paraburgimit

Gjykata Themelore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë të ndaj të pandehurit D. M.

Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri duke qenë në njohuri me situatën e përgjithshme shoqërore të krijuar me pandeminë Covid-19 dhe shqetësimin e madh të krijuar tek qytetarët, i njëjti me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për veti apo për personin tjetër, ka kontrabanduar mallra me automjetin e tij.

Ai u ndalua nga ana e Policisë së Kosovës në pikën kufitare të Muçibabës, dhe gjatë kontrollimit të tij, të njëjtit i ishin gjetur 930 copë teste VIDAS-STR për Covid-19 dhe pjesët përcjellëse si: 12 teste shishe të mëdha, 25 copë teste shishe me kapak të kuqë, 50 copë teste shishe me kapak të bardhë, 31 copë teste qese alumini dhe 21 copë ftohësa të ndryshëm për teste Covid-19, e për të cilat i njëjti nuk ka poseduar asnjë lloj të dokumentacionit përcjellës mbi origjinën e tyre, të cilat dyshohet se ishin sjellë nga territori i Serbisë.

“Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale ‘kontrabandimi i mallrave’’ vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, për sigurimin e pranisë së të pandehurit dhe mbarëvajtjen e procedurës penale”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Gjilanit. 

(Kosova Sot Online)