Melihate Tërmkolli – Vjosa Osmanit: Po e shqyen gurmazin

  • G.G /
  • 06 November 2020 - 14:20
Melihate Tërmkolli – Vjosa Osmanit: Po e shqyen gurmazin

Anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Melihate Tërmkolli, ka komentuar zhvillimet e fundit në vendin tonë, derisa ka kritikuar Vjosa Osmanin pasi që e njëjta është emëruar u.d e presidentes.

Tërmkolli ka pasur disa kritika për Osmanin, duke thënë se e njëjta po e “shqyen gurmazin”.

“Kryetarja e Kuvendit dhe tani edhe u.d e Presidentit me hipokrizinë më të madhe bën sfilata politike me një post provizor të fituar pa asnjë votë, as qytetare as parlamentare, ajo që me muaj po e “shqyen” gurmazin duke u thirrë në votën e qytetarit”, ka theksuar ajo, duke kritikuar edhe Ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi.

“Në këto dy ditë u godit rëndë shteti i Kosovës, jo veç individët. Reagimi ynë si shtet e qeveri është tërësisht i papranueshëm. Në veçanti roli i Ministrit dhe Ministrisë së Drejtësisë! Ministri që nuk din se çfarë po ndodhë me Presidentin e vendit dhe të tjerët, nuk din se a ka apo nuk ka akt-akuzë, nuk ka ide për mënyrën se si merren njerëzit nga EULEX-i, bastisjet etj. është thjesht veç një spektator që nuk e njeh punën e tij dhe nuk meriton të jetë aty ku është”, tha ajo. 

Shkrimi i saj i plotë:

Goditja e shtetit dhe betejat politike!

Në këto dy ditë u godit rëndë shteti i Kosovës, jo veç individët. Reagimi ynë si shtet e qeveri është tërësisht i papranueshëm. Në veçanti roli i Ministrit dhe Ministrisë së Drejtësisë! Ministri që nuk din se çfarë po ndodhë me Presidentin e vendit dhe të tjerët, nuk din se a ka apo nuk ka akt-akuzë, nuk ka ide për mënyrën se si merren njerëzit nga EULEX-i, bastisjet etj. është thjesht veç një spektator që nuk e njeh punën e tij dhe nuk meriton të jetë aty ku është. Ministri merret me retorikë thellësisht partiake në kohën kur do të duhej të ishte ministër i shtetit dhe t’i dilte zot punëve të tij pa rrezikun e rrëshqitjes në kompetencat e gjykatës. Frika nga ndërhyrja në drejtësi është veç konfirmim i paaftësisë për t’u përballur me këto situata që nuk ishin as të papritura as befasuese për askënd. Edhe më rëndë po të jenë të qëllimshme si pjesë e logjikës revanshiste politike, reale apo të supozuar. Kjo frikë nuk e justifikon dhe as nuk e arsyeton pranimin e “drejtësisë së shkelur” ndaj qytetarëve të vendit tonë, gjithnjë pa prejudikuar fajësinë apo pafajësinë e kujtdo qoftë.

Rrëshqitja e Dhomave të Specializuar nga ideja fillestare ligjore e drejtësisë, sipas shumë specialistëve të drejtësisë,  në një gjykatë me elemente politike e të politizuara është shqetësuese për Kosovën. Roli dhe ndikimi i Serbisë në këtë gjykatë dhe jo vetëm është evident. Në gjykatën të cilën e themeluam ne, politika dhe Kuvendi i Kosovës, mund të ndikojë e të ndërhyjë Serbia derisa ne nuk mund as të interesohemi për procesin e procedurat sipas detyrës që na jep Ligji e Kushtetuta!

Qeveria dhe të tjerët heshtën e po heshtin në njërën nga ditët më të rënda për funksionalitetin e institucioneve të vendit tonë.

Kryetarja e Kuvendit dhe tani edhe u.d e Presidentit me hipokrizinë më të madhe bën sfilata politike me një post provizor të fituar pa asnjë votë, as qytetare as parlamentare, ajo që me muaj po e “shqyen” gurmazin duke u thirrë në votën e qytetarit.

Shteti ynë dhe qytetari nuk ka kohë më për të humbur as me frikacakë, as me profiterë politikë dhe as me të padijshmëm!

Tani, të gjitha institucionet shtetërore e politike duhet të punojnë me tërë kapacitetin e tyre në menaxhimin e situatës politike dhe të sigurisë të vendit tonë, në tejkalimin e gjendjes dhe zgjidhjen e problemeve të mëdha të natyrave të ndryshme me të cilat po përballemi.

Një qeveri e unitetit dhe një president/e konsensual do të ishte një mundësi e fillimit të përballjes me sfidat që kemi.

(Kosova Sot Online)