Ditën kur iu konfirmua aktakuza, Thaçi vizitoi këtë vend të rëndësishëm të kohës së luftës

  • E.K /
  • 06 November 2020 - 16:41
 Ditën kur iu konfirmua aktakuza, Thaçi vizitoi këtë vend të rëndësishëm të kohës së luftës

Më 26 tetor, ditën kur iu konfirmua aktakuza, ish-Presidenti Hashim Thaçi, kishte vizituar një prej kullave ku ishin marrë vendime të rëndësishme gjatë luftës. Bëhet fjalë për Kullën e Rezistencës së familjes Imeri, në fshatin Ozdrim të Pejës.

Për këtë vizitë të tij, ai kishte njoftuar edhe në llogarinë e tij në Facebook.

“Në fshatin Ozdrim, me përfaqësuesit e OVL së UÇK-së e zbuluam Pllakën në Kullën e Rezistencës së familjes Imeri, ku gjatë luftës morëm vendime të rëndësishme. Erdha sot këtu për të treguar respekt për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për rezistencën e Ozdrimit me rrethinë dhe për të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët që dha kjo trevë”, kishte shkruar Thaçi.

Ndryshe, aktakuza kundër Hashim Thaçit është konfirmuar më 26 tetor 2020. Ai u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës(DHSK) në Hagë më 5 nëntor.

Paraqitja e tij e parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, do të mbahet më 9 nëntor në orën 15:00.

(Kosova Sot Online)