Gjithçka në favorin e tij: Bideni e thellon epërsinë edhe në Nevada

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 09:57
Gjithçka në favorin e tij: Bideni e thellon epërsinë edhe në Nevada

Kandidati për president të Shteteve të Bashkuara nga radhët e Partisë Demokratike, Joe Biden, e ka thelluar epërsinë ndaj rivalit republikan, Donald Trump, edhe në shtetin perëndimor të Nevadas, pasi një gjë të tillë e bëri edhe në lindje – në Pensilvani.

Një ditë më parë, ish-nënpresidenti amerikan në mandatin e Obamas kishte vetëm rreth 8 mijë vota epërsi, ndërsa tash për dallimi mes dy kandidatëve ka shkuar në gati 23 mijë vota, sipas të dhënave të televizionit CNN.

Rezultati aktual në Nevada (Burimi: CNN)

Të premten, gara ndryshoi shumë në favorin e Bidenit pasi ai e përmbysi epërsinë e Trumpit në dy shtete shumë të rëndësishme për rrugën drejt fitores – në Pensilvani dhe Georgia. Këto dy shtete së bashku kanë 36 vota në Kolegjin Zgjedhor dhe fituesi i tyre praktikisht do të jetë edhe fitues i zgjedhjeve në nivel kombëtar.

Joe Biden, përpos në Nevada, është duke prirë edhe në Pensilvani, Arizona dhe Georgia, ndërsa Trumpi tash për tash ka epërsi vetëm në Karolinën Veriore.

Kandidati republikan, Donald Trump, duke e parë rrjedhën e rezultatit, që po e çon drejt humbjes së zgjedhjeve, është përpjekur të hedhë dyshime për parregullsi dhe ka paralajmëruar ankesa ligjore në disa shtete.

Këta hapa mund ta zhagisin sado pak procesin, por deri më tani Partia Republikane nuk ka paraqitur dëshmi konkrete për pretendimet që ka bërë në lidhje me manipulimet e mundshme gjatë numërimit të votave.

(Kosova Sot Online)