Abdixhiku për fitoren e Joe Biden: Kosova tashmë ka pas vetes një mik të jashtëzakonshëm

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 17:57
Abdixhiku për fitoren e Joe Biden: Kosova tashmë ka pas vetes një mik të jashtëzakonshëm

Ish-ministri i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku, pas zgjedhjes së Joe Biden si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës tha se tashmë Kosova ka një mik të jashtëzakonshëm pas.

Përmes një postimi në Facebook, Abdixhiku citoi fjalët e Bidenit në vitin 2016 kur i ka thënë në Prishtinë.

” Kosova, në fjalë të tashmë Presidentit Biden, ka një mik të jashtëzakonshëm pas. Ka një President që na njeh mirë e në thelb për dekada rresht. Biden bën pjesë në gjeneratën e parë – dhe tani të fundit të mbetur – që njeh rrugëtimin tonë për liri e shtetësi që nga dita e parë”, shkroi Abdixhiku.

Ndërsa, ai falënderoi administratën e Trumpit për mbështetjen e dhënë në formimin e ushtrisë

Postimi i plotë i Lumir Abdixhikut:

“Njerëz të Kosovës; ju kam njohur gjatë 40 viteve të fundit. Ju kam parë”; “Ju nuk jeni vet. Keni miq mjaft; keni pas vetes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mikun tuaj më të madh”. ~ Joe Biden, 2016, Prishtinë.

Mbështetës i zëshëm i të drejtave të shqiptarëve në Kosovë gjatë të 90-ave; sponzorizues kryesor i rezolutës për intervenim ushtarak në 99-ën; promovues dhe mbrojtës i pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës në 2008-ën; një nga figurat më të involvuara politikisht e emocionalisht në Kosovë, Joseph R. Biden Jr., është zgjedhur President i 46 i Shteteve të Bashkuara të Amerikës – superfuqisë më të madhe që bota ka njohur ndonjëherë.

Kosova, në fjalë të tashmë Presidentit Biden, ka një mik të jashtëzakonshëm pas. Ka një President që na njeh mirë e në thelb për dekada rresht. Biden bën pjesë në gjeneratën e parë – dhe tani të fundit të mbetur – që njeh rrugëtimin tonë për liri e shtetësi që nga dita e parë. Dhe kjo, nëse asgjë tjetër na jep sigurinë që na mungonte tash e sa kohë. Pak vende sot kanë një lidhje të tillë. Pak vende kanë një fat të tillë. Këtë fat Kosova e ka për detyrim ta kthej në punë. I ka, tani për tani, katër vite kohë.

Administratën Trump ndërsa, Kosova do ta falenderojë për mbështetjen e dhënë në formimin e ushtrisë. Siç është praktika e pashkruar me secilën administratë tashmë, edhe kjo s’kaloi pa lënë një shenjë të rëndësishme në shtetin tonë.

(Kosova Sot Online)