Jo të gjithë iu gëzuan fitores së Bidenit, ja vendet që vajtojnë humbjen e Trumpit

  • G.G /
  • 07 November 2020 - 23:18
Jo të gjithë iu gëzuan fitores së Bidenit, ja vendet që vajtojnë humbjen e Trumpit

Aleatët e Shtëpisë së Bardhë në Europë e më tej janë ‘lehtësuar’ me fitoren e Joe Biden në zgjedhjet presidenciale amerikane. Kryeministri kanadez Justin Trudeau dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, ishin prej atyre që u kritikuan nga Trump, dhe ishin po të parët që uruan demokratin.

Marrëdhënie të tensionuara Trump kishte edhe me NATO’n. Sekretari i Përgjithshëm i NATO’s Jens Stoltenberg uroi Bidenin i bindur se ai “do të jetë mbështetës i fortë i aleancës veri-atlantike”.

Por jo të gjithë i janë gëzuar lajmit për fitore të ish-nënpresidentit amerikan.

Të shqetësuara ka të ngjarë të jenë disa vende të Lindjes së Mesme, me të cilat Shtëpia e Bardhë e udhëhequr nga Trump ka pasur marrëdhënie të ngushtë, veçanërisht me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Izraelin dhe Egjiptin.

“Ato do të përpiqen të bashkëpunojnë me Biden dhe të nxjerrin më të mirën e një situate të keqe nga këndvështrimi i tyre”, thotë profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Fawaz Gerges.

“Trump ka qenë i mirë për këto vende”, shtoi ai.

Ndërkohë presidenti rus Vladimir Putin ka thënë se Moska do të punojë me çdo udhëheqës amerikan, por fitorja e Biden do të jetë negative për Rusinë, sipas analistit politik, Vladimir Frolov.

Biden e quajti Rusinë kërcënimin më të madh të sigurisë së SHBA’së muajin e kaluar, një vlerësim i cili sipas Kremlinit inkurajonte urrejtje ndaj Rusisë.

“Moska po i kushton vëmendje të madhe kësaj dhe nuk i pëlqen ajo që po sheh”, tha Frolov.

(Kosova Sot Online)