Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi sot para Tribunalit Special

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 07:19
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi sot para Tribunalit Special

Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentari, Jakup Krasniqi do të ulen sot në bankën e të akuzuarve në seancën e parë para Dhomave të Specializuara në Hagë. Thaçi dhe Krasniqi do të dalin në seanca të ndara para Tribunalit Special pasi që të njëjtëve iu është konfirmuar aktakuza për krime të luftës,

Tribunali Special ka shkaktuar një tërmet politik në Kosovë kur pas një aksioni disa ditor arrestoi katër prej fytyrave kyce të shtabit të UCK-së që njëherësh ishin krerë të institucioneve kryesore të shtetit që nga pas lufta.

Ish-presidenti Hashim Thaci, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi, ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli dhe shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi u nisën drejt Hagës pas arrestimit që pasoi me bastisje disa orëshe nëpër lokacione të ndryshme të Kosovës, përfshirë edhe shtëpitë e të njëjtëve.

Pas arrestimit të tyre nga Prokurori i Specializuar më 4 dhe 5 nëntor, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, më 4 dhe 5 nëntor.

Gjykatësi i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara të Kosovës e konfirmoi aktakuzën kundër tyre më 26 tetor 2020.

Aktakuza e konfirmuar për katër ish-krerët e shtabit të UCK-së u bë publike në version të redaktuar.

Në aktakuzën e konfirmuar thuhet se së paku midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 u kryen krimet e luftës të arrestimit dhe ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes. Krimet që paraqiten në aktakuzë u kryen në disa vende në Kosovë si edhe në Kukës dhe Cahan në Shqipërinë Veriore dhe u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Ndër viktimat përfshihen persona që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së dhe më vonë të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, konkretisht: (i) serbë, romë dhe ashkalinj; (ii) katolikë; (iii) civilë për të cilët pretendohej se bashkëpunonin me autoritetet serbe ose që pretendohej se kontaktonin me serbë; (iv) shqiptarë që ishin anëtarë ose përkrahës të Lidhjes Demokratike të Kosovës ose të partive të tjera që konsideroheshin se ishin kundër UÇK-së; (v) shqiptarë që nuk iu bashkuan ose nuk përkrahnin UÇK-në; dhe (vi) individë të punësuar ose të punësuar të mëparshëm që konsideroheshin kundër UÇK-së..

Në aktakuzën e konfirmuar pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së.

Pas njoftimit për konfirmim të aktakuzës, Specialja ka bërë të ditur oraret kur katër të akuzuarit do të dalin para Tribunalit.

I pari para Speciales do të flaës ish-kryeparlamentari dhe ish-zëdhënësi i UCK-së, Jakup Krasniqi.

Sot nga ora 11:00 do të mbahet paraqitja e parë e Jakup Krasniqit në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë.

Pas Krasniqit, para Speciales do të dalë ish-presidenti Hashim Thaci. Seanca në Tribunalin Special e ish-kreut të shtetit të Kosovës do të fillojë në ora 15:00.

Ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli ndërkaq para Dhomave të Specializuara do të dalë me datë 10 nëntor në ora 15:00, ndërkaq, shefi i deputetëve të LVV-së, Rexhep Selimi do të dalë para Gjykatës me datë 11 nëntor në ora 11:00.

(Kosova Sot Online)