Takimi me Avdullah Hotin, Presidenca tregon çka u bisedua

  • G.G /
  • 09 November 2020 - 12:39
Takimi me Avdullah Hotin, Presidenca tregon çka u bisedua

Presidenca ka njoftuar se në takimin e sotëm ndërmjet ushtrueses së detyrës së Presidentit, Vjosa Osmanit dhe Kryeministrit Avdullah Hoti, është biseduar për menaxhimin e pandemisë dhe dialogun me Serbinë.

Në njoftimin e Presidencës bëhet e ditur se në takim janë diskutuar aspekte të përgjishme të funksionimit në vend.

“Takimi është mbajtur në vazhdën e koordinimit dhe bashkërendimit ndërinstitucional. Në takim janë diskutuar aspekte të përgjithshme të funksionimit në vend”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se Hoti e ka njoftuar Osmanin për hapat e ndërmarrë në menaxhimin e pandemisë dhe dialogun me Serbinë.

“Kryeministri Hoti e ka njoftuar u.d. Presidenten Osmani për hapat e ndërmarrë në menaxhimin e pandemisë, dialogun me Serbinë, aspekte të politikës së jashtme si dhe çështje të sigurisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Osmani ka deklaruar se duhet të ketë koordinim institucional në përballje me pandeminë COVID-19.

“Ndërkaq u.d. Presidentja Osmani ka shtruar nevojën e koordinimit institucional në përballje me pandeminë Covid-19, në këtë situatë të vështirë, në mënyrë që të zvogëlohen pasojat në njerëz nga kjo pandemi”, thekson njoftimi.

Pas takimit, Hoti deklaroi për media se me Osmanin janë dakorduar që të konsultohen në vazhdimësi në menaxhimin e situatës së krijuar në vend pas dorëheqjes së presidentit Hashim Thaçi, për shkak të konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

“Diskutuam për zhvillimet e fundit, u dakorduam që vazhdimisht të konsultohemi në menaxhimin e kësaj situate, për të çuar mesazhin e qartë, për të cilin jam shumë i interesuar, që pavarësisht zhvillimeve politike, proceseve në të cilat kalon vendi si rezultat i dorëheqjes së presidentit të vendit, ku forcat politike tash duhet të bëhen bashkë, për të gjetur zgjidhje, të japim mesazhin e maturisë së institucioneve të Kosovës për t’iu dalë në ndihmë qytetarëve edhe me pandeminë edhe me problemet ekonomike që vinë prej saj”, ka deklaruar Hoti.

(Kosova Sot Online)