Zemaj tregon se ka dërguar masat e reja për miratim në Qeveri

  • E.K /
  • 09 November 2020 - 17:36
 Zemaj tregon se ka dërguar masat e reja për miratim në Qeveri

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka njoftuar se ka dërguar për miratim në Qeveri masat e reja anti-Covid.

Përmes një statusi në Facebook, Zemaj ka bërë të ditur se në mbledhjen e sotme të Komitetit për menaxhimin e pandemisë është diskutuar për efektin e masave të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Situata është e njëjtë si në shtetet e rajonit, por sistemi ynë shëndetësor është i ndryshëm, kapacitetet tona spitalore nuk janë në situatën më të mirë, andaj përtej statistikave me të infektuar, kemi shtim të rasteve të hospitalizimit”, ka shkruar Zemaj.

Zemaj tutje thotë se masat do të ashpërsohen, për të mos pasur situatë të jashtëzakonshme me të infektuar dhe të hospitalizuar.

“Për të mos pasur situatë të jashtëzakonshme me të infektuar edhe me të hospitalizuar, kërkohet zbatim strikt i masave dhe veprime urgjente dhe masa më të ashpra.  Në tërë këtë situatë, shkollat fillore dhe të mesme do të jenë të hapura por me mbikëqyrje si deri më tani, ndërsa universitetet vazhdojnë me ligjërata online”, ka shkruar Zemaj.

I pari i Shëndetësisë ka njoftuar se masat e reja janë dërguar për miratim në Qeverinë e Kosovës.

”Masat janë adresuar për miratim në Qeveri dhe Kabineti qeveritar pritet të votojë për to”, ka shkruar Zemaj.

Ndërkohë, media sot ka raportuar për masat e reja të propozuara nga Ministria e Shëndetësisë që pritet të hyjnë në fuqi.

(Kosova Sot Online)