Kuçi reagon për luanin që po mbahet në një restorant në Gjilan qe një vit

  • E.K /
  • 09 November 2020 - 20:05
 Kuçi reagon për luanin që po mbahet në një restorant në Gjilan qe një vit

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka deklaruar se me rastin e raportuar se një luan po mbahet në kushte jo adekuate, ka formuar një Grup Punues për këtë çështje.

Kuçi ka shkruar në Facebook se ka marrë shumë mesazhe nga aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, për luanin që po mbahet në kushte të pafavorshme në një restorant në Gjilan.

“Dje kam pranuar një numër të madh të mesazheve që vinin nga e gjithë bota, nga aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të kafshëve, përfshirë edhe aktivistët vendorë. Më 8 nëntor qenka bërë një vit prej kur ky luan qëndron në kushte të pafavorshme për këtë kafshë në një restorant në Gjilan. Me të drejtë, shoqëria civile është shprehur e shqetësuar:, ka shkruar Kuçi.

“Dua të ju informoj që sot jam njoftuar në parim për ngjarjen nga zyrtarët e ministrisë dhe kabineti im po merret për hapat e mëtutjeshëm, duke qenë edhe në komunikim me anëtarët e shoqërisë civile. Tashmë, Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit ka një Grup Punues për të gjetur zgjidhjen e këtij problemi, ku bëjnë pjesë edhe anëtarë të shoqërisë civile”, ka shkruar Kuçi.

Ai ka bërë të ditur se rasti po trajtohet edhe në Prokurorinë Themelore të Gjilanit.

“Ky rast po trajtohet edhe në Prokurorinë Themelore të Gjilanit. Prokurorisë dhe konkretisht Prokurorit të Çështjes i ka shkuar një letër më 1 shtator 2020 me propozime për hapat që duhen ndërmarrë për rastin në fjalë, mirëpo ende nuk është marrë asnjë përgjigje zyrtare. Tashmë do të zhvillojmë një takim me grupin punues gjatë kësaj jave dhe për secilin hap që do të ndërmerret, do të ju mbajmë të informuar”, ka shkruar Kuçi.

(Kosova Sot Online)