ShBA-ja e miraton për përdorim emergjent një vaksinë të re kundër COVID-19, ka efekte pozitive

  • G.G /
  • 10 November 2020 - 09:05
ShBA-ja e miraton për përdorim emergjent një vaksinë të re kundër COVID-19, ka efekte pozitive

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e Shteteve të Bashkuara e miratoi përdorimin emergjent të vaksinës eksperimentale të kompanisë “Eli Lilly and Co” kundër koronavirusit, të cilën presidenti Donald Trump e ka vlerësuar lart dhe është zotuar se do ta sigurojë falas për të gjithë amerikanët.

Ky institucion tha se vendimi për miratimin e përdorimit të kësaj vaksine është marrë duke u bazuar në të dhënat klinike që treguan se ilaçi i quajtur Bamlanivimab e pakëson nevojën për hospitalizim apo vizitë në emergjencë për pacientët me COVID-19 që janë në rrezik të lartë nga avancimi i sëmundjes.

Sipas rezultateve të hershme, kjo vaksinë mund të ndikojë që koronavirusi të zhduket më shpejt nga trupi i njeriut dhe potencialisht ta pakësojnë numrin e hospitalizimeve te personat me simptoma të lehta dhe të mesme, shkruan Daily Mail.

Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve e miratoi përdorimin e kësaj vaksine për persona të rritur dhe fëmijvë mbi moshën 12-vjeçare. Vaksina menjëherë ka filluar të shpërndahet përmes distributorit kryesor, thanë zyrtarët e prodhuesit.

Muajin e kaluar, qeveria amerikane nënshkroi një marrëveshje me vlerë prej 375 milionë dollarësh me kompaninë “Lilly” për 300.000 doza të vaksinës eksperimentale, të cilat do të shpërndahen gjatë dy muajve pas miratimit për përdorim nga autoritetet.

Sidoqoftë, qeveria e ka opsionin që të blejë edhe 650 mijë doza shtesë deri më 30 qershor.

(Kosova Sot Online)