Ende pa ardhur mirë në pushtet Talibanët dalin me një thirrje për Bidenin

  • G.G /
  • 10 November 2020 - 09:32
Ende pa ardhur mirë në pushtet Talibanët dalin me një thirrje për Bidenin

Talibanët afganë të martën i bënë thirrje administratës në ardhje të Shteteve të Bashkuara, e cila do të udhëhiqet nga presidenti i zgjedhur, Joe Biden, që t’i përmbahet marrëveshjes së muajit shkurt për tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani.

Shtetet e Bashkuar tashmë e kanë filluar tërheqjen e trupave sipas kësaj marrëveshjeje dhe tërheqja e plotë pritet të përfundojë në maj të vitit të ardhshëm, nëse palët u përmbahen zotimeve. Ndërkohë talibanët po i vazhdojnë bisedimet e paqes me qeverinë afgane në Doha të Katarit.

“Emirati Islamik (kështu e quajnë veten talibanët) do të donte të theksonte te presidenti i zgjedhur amerikan dhe administrata e ardhshme se zbatimi i marrëveshjes është mjeti më i arsyeshëm dhe më efektiv për përfundimin e konfliktit mes dy vendeve tona”, thuhet në deklaratën e grupit militant.

Pavarësisht zhvillimit të bisedimeve të paqes, dhuna në Afganistan nuk është ndalur. Talibanët i kanë sulmuar kryeqytetet provinciale, duke e nxitur në disa raste edhe reagimin e Shteteve të Bashkuara përmes sulmeve ajrore.

Presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kishte si një ndër premtimet kryesore të fushatës përfundimin e luftës në Afganistan dhe në tetor tha se trupat amerikane mund të largohen nga ky shtet deri në fund të dhjetorit, ndonëse zyrtarët si këshilltari i tij për siguri kombëtare kanë thënë se janë duke punuar për ta arritur afatin e majit të vitit 2021 e jo më herët.

(Kosova Sot Online)