Masat anti-Covid: Qeveria po i shqyrton kufizimet e reja

  • G.G /
  • 10 November 2020 - 10:58
Masat anti-Covid: Qeveria po i shqyrton kufizimet e reja

Qeveria e Kosovës ende është duke diskutuar masat e propozuara nga Ministria e Shëndetësisë, për parandalimin e përhapjes të pandemisë së koronavirusit.

Ky insistucion ka filluar diskutimin e këtyre masave nga dita e hënë, kur Ministria e Shëndetësisë ka dërguar propozimet.

E autoritetet kompetente shëndetësore në vend kanë propozuar një varg masash për parandalimin e COVID-19.

Komunat e Kosovës, sipas këtij propozimi të Ministrisë së Shëndetësisë, do të ndahen në tri zona të rrezikshmërisë: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër, e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.

Këto masa është propozuar të jenë në fuqi për një periudhë njëjavore.

Propozimi i zyrtarëve të kësaj ministrie ka ardhur pas rritjes së numrit të rasteve të prekura me këtë virus në baza ditore në Kosovë.

Vetëm të hënën, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka regjistruar 637 të infektuar me 13 viktima me këtë virus.

Që nga fillimi i pandemisë në Kosovë janë regjistruar 24,792 të infektuar, prej të cilëve 768 kanë vdekur.

(Kosova Sot Online)