Kosova mbushet me sirianë, Ministria tregon sa kanë ardhur këtë vit

  • G.G /
  • 10 November 2020 - 13:52
Kosova mbushet me sirianë, Ministria tregon sa kanë ardhur këtë vit

Kosova është mbushur me shtetas të huaj muajt e fundit. Vetëm gjatë këtij viti, azil në vend kanë kërkuar mbi 1 mijë e 200 të huaj. Pjesa më e madhe e tyre janë nga Siria. Por, cilat janë arsyet që këta të huaj po ikin nga vendet ku kanë lindur dhe po kërkojnë azil në Kosovë?

Nëpër rrugët e kryeqytetit po shihen shumë shtetas të huaj gjatë ditëve të fundit. Të njëjtit kanë ikur nga vendlindja e tyre e po kërkojnë azil në Kosovë.

Disa prej tyre janë përfshirë edhe në probleme me të ardhur në vend.

Hiç më larg se para dy javësh, një shtetas palestinez është arrestuar për djegien e një xhamie në fshatin Magure të Lipjanit, derisa para pak ditësh është arrestuar një tjetër për vjedhjen e një palë rrobave në një lokal në kryeqytet.

“Rr. Gjorgj Bush, Prishtinë, 03.11.2020-16:14. Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i huaj pasi qe i njëjti ne një lokal ka vjedhur një palë rroba dhe ka tentuar te del pa paguar. Me vendim te prokurorit i dyshuari është dërguar ne mbajtje”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Por, sa është numri i shtetasve të huaj që kanë kërkuar azil në Kosovë gjatë këtij viti?

Në Ministrinë e Punëve të Brendshme kanë deklaruar se numri i të huajve që kanë kërkuar azil shkon në më shumë se një mijë.

Prej tyre, pjesa më e madhe janë shtetas sirianë.

“Numri i të huajve që kanë kërkuar azil deri me sot është 1,205 persona. Numri i sirianeve që kanë kërkuar azil është 599 persona”, kanë deklaruar nga MPB’ja.

Por, jo të gjithë prej tyre kanë gjetur strehim. Në Qendrën për Azil në Magurë të Lipjanit, aktualisht janë të akomoduar vetëm 123 prej tyre.

E një prej arsyeve kryesore që këta të huaj janë larguar nga vendi i tyre është lufta.

“Janë disa nga arsyeje që i kanë paraqitur tek ne me rastin e kërkimit të azili, si p.sh; për arsyeje se në vendin e tyre është luftë, për arsyeje sigurie dhe për arsyeje ekonomike etj”, thuhet në përgjigjet e MPB’së.

(Kosova Sot Online)