Veseli nga Specialja: Deklarohem me bindje të plotë se jam i pafajshëm

  • G.g /
  • 10 November 2020 - 15:42
Veseli nga Specialja: Deklarohem me bindje të plotë se jam i pafajshëm

Ish-kryeparlamentari Kadri Veseli është duke u paraqitur për herë të parë para Dhomave të Specializuara në Hagës, që njihen si Gjykata Speciale.

Ai u deklarua i pafajshëm për të gjitha akuzat.

“Faleminderit i nderuar gjykatës. I dëgjova dhe i kam lexuar të gjitha pikat e aktakuzës. Më lejoni të deklarohem me bindje të plotë se jam i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës”, tha Veseli.

Gjykatësi Nicolas Guillou fillimisht ka treguar procedurat që ndiqen në atë që quhet si “paraqitja e parë e të akuzuarit”, teksa një administratore më pas ia ka lexuar akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që rëndojnë mbi ish-kryetarin e PDK-së.

“I nderuar gjykatës, i dëgjova”, tha Veseli kur gjykatësi e pyeti nëse i ka kuptuar akuzat.

Veseli pohoi edhe në rastin tjetër kur u pyet nëse i ka kuptuar të drejtat që iu lexuan paraprakisht.

Të enjten e javës që shkoi, me një avion ushtarak, ish-kyeparlamentari Kadri Veseli dhe ish-bashkëpunëtorët e tij në luftë, ish-presidenti Hashim Thaç dhe shefi i Grupit Parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi, u nisën për në Hagë, pas konfirmimit të aktakuzës kundër tyre.

Një ditë më herët, ish-kryeparlamentari Jakup Krasniqi u arrestua dhe u dëgua gjithashtu për në paraburgimin e Gjykatës Speciale.

Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999. Prokuroria e Specializuar i akuzon krerët e UÇK-së se kanë qenë ose duhej të ishin në dijeni të këtyre krimeve. 

(Kosova Sot Online)