Profil: Kush është avokati i Thaçit që pyeste për simbolet e Kosovës në Tribunalin Special

  • E.K /
  • 10 November 2020 - 17:23
 Profil: Kush është avokati i Thaçit që pyeste për simbolet e Kosovës në Tribunalin Special

Avokati nga Britania e Madhe, David Hooper ishte personazh i rëndësishëm dhe tejet interesant gjatë paraqitjes së parë në Gjykatën Speciale të klinetit të tij, ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Media ju sjell profilin e mbrojtësit kryesor të Thaçit në Hagë.

Hooper nisi ta sfidojë Prokurorinë e Specializuar por edhe vetë Gjykatën Speciale qysh në paraqitjen e parë, duke adresuar në pjesën më të madhe të seancës kritika për shumë çështje.

Ai fillimisht tha se nuk ka qenë e mundur që “të themelohet një trupë mbrojtëse” e Thaçit për shkak të mos kryerjes si duhet të detyrave nga ana e gjykatës. Më vonë, Hooper shtroi pyetje për prokurorët e Speciales, duke kërkuar nga ta akuzat për trafikim organesh, që ishin themel i ngritjes së Gjykatës Speciale.

Ai u përplas edhe me gjykatësin Nicolas Guillou lidhur me simbolet e Kosovës, që mungojnë në këtë institucion të drejtësisë që funksionon nën juridiksionin e Kosovës. Replikat nisën kur avokati David Hooper e ngriti çështjen e mungesës së simboleve të Kosovës në Gjykatën Speciale.

Avokati tha se Thaçi nuk e meriton të qëndrojë në paraburgim, ndërsa shtoi se do ta kërkojë ligjërisht lirimin e tij me kusht, ndërsa rikujtoi se presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e kishte quajtur Thaçin “George Washington i Kosovës”.

Avokatit i ka penguar edhe transferimi në pranga i Thaçit nga paraburgimi deri në sallën e gjyqit, duke e cilësuar këtë si trajtim të padinjitetshëm.

Kush është David Hooper?

Avokati britanik David Hooper ka përvojë në shumë fusha, veçanërisht në të drejtën penale, ku ka qenë i përfshirë në një gamë të gjerë çështjesh të rëndësishme gjatë viteve.

Ai paraqitet si mbrojtës para gjykatave ndërkombëtare penale. Hooper edhe më herët shërbeu në Hagë si avokat. Ai mbrojti figura të rëndësishme që u përballën me procese të rënda gjyqësore, si gjeneralin Germain Katanga nga Republika e Kongos dhe zëvendëspresidentin e Kenisë, William Ruton.

Më parë, Hooper ishte avokat mbrojtës edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar për Ruandën, Arushan e Tanzaninë. Po ashtu, ai ishte avokat edhe në Tribunalin Penal Ndërkombëtar të Hagës për krimet në ish-Jugosllavi.

Puna që e bën prej shumë vitesh, e ka bërë atë që të vlerësohet si avokat i dëshmuar në shumë prej çështjeve që i ka trajtuar.

David Hooper ishte edhe kryetar i Ekspertëve Ndërkombëtarë të së Drejtës Penale në Konferencën e Gjenocidit dhe të Krimeve të Luftës të Shoqatës Ndërkombëtare të Avokatëve për Gjykatësit Irakianë.

Ai diplomoi në Universitetin e Kentit në Canterbury. Po ashtu, Hooper studioi edhe në Kolegjin Jesus në Universitetin e Cambridgeit.

Hooper njihet për njohuritë dhe espertizën e tij të konsiderueshme në fushën e krimit ndërkombëtar, duke qenë akter kryesor i mbrojtjes juridike në një numër jo të vogël të çështjeve. Në odat e avokatëve, ai vlerësohet si avokat mbresëlënës me një stil simpatik dhe bindës, i cili pasqyrohet edhe në rezultatet fantastike që ai i ka arritur në karrierë.

Avokati britanik është pjesë dhe avokati më i shquar i grupit “25 Bedford Row” që merret me mbrojtje penale të klientëve.

Hooper e kishte përfaqësuar ish-ministrin e Planifikimit në Ruandë, Augustin Ngirabatware në një gjyq në lidhje me pretendimin e se kishte ndërhyrë në dëshmitarët e mbrojtur lidhur me dënimet e klientit për përfshirje në gjenocidin e Ruandës më 1994.

Rastet komplekse që Hooper i ka trajtuar përgjatë karrierës së tij përfshijnë edhe hetimin e çështjeve dhe menaxhimin e ekipeve mbrojtëse. Ai ishte avokat kryesor i mbrojtjes në Tribunalin Ndërkombëtar për Ruandën (ICTR) në rastin e Andre Rwamakuba, një ministër në Qeverinë e Ruandës më 1994, dhe më vonë avokat i At Nsengimana, një prift katolik i akuzuar për gjenocid. Të dy u shpallën të pafajshëm.

Pjesë e ekipit të avokatëve të Thacit është edhe amerikani Pierre-Richard Prosper, ish-prokuror dhe ish-zyrtar i Qeverisë Amerikane. Ai ka shërbyer si Ambasador Special për Çështje të Krimeve të Luftës nga administrata e ish-presidentit amerikan George W. Bush në periudhën 2001-2005. Në skipin mbrojtës të Thaçit bën pjesë edhe avokati i njohur kosovar, Dastid Pallaska.

(Kosova Sot Online)