Beteja për presidentin, Hoti e pranon që Qeveria nuk i ka votat

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 08:38
Beteja për presidentin, Hoti e pranon që Qeveria nuk i ka votat

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti e ka pranuar se koalicioni qeverisës nuk i ka votat për të zgjedhur presidentin e ri të vendit.

Sipas Hotit, të gjitha partitë politike duhet të ulen bashkë dhe të arrihet një marrëveshje përtej koalicionit qeverisës.

 “Tash jemi para një situate të re, ku presidenti (v.j. Hashim Thaçi) ka dhënë dorëheqje. Besoj që është periudhë e ndjeshme, pasi ai sapo ka dhënë dorëheqje. Tash kanë filluar proceset në Dhomat e Specializuara, prandaj në një moment të duhur kohor, do të ulemi dhe do të shohim nëse do të mund të arrijmë konsensusin e nevojshëm për të tejkaluar këtë situatë. Në aspektin kushtetues është më se e qartë”, ka deklaruar Hoti.

E për atë se si do të duket një marrëveshje e tillë, Hoti thotë se është herët që të flitet.

“Tani, partitë politike duhet të ulen bashkë për të gjetur zgjidhje për presidentin e vendit, ose për t’u dakorduar për zgjedhje të reja. Është e qartë se me votat që i ka ky koalicion qeverisës, nuk mund ta zgjedhë presidentin e ri të vendit, prandaj duhet një marrëveshje përtej këtij koalicioni qeverisës. Se si do të duket kjo marrëveshje, është shumë herët të flitet sepse nuk jemi ende duke diskutuar”, ka thënë Hoti.

(Kosova Sot Online)