Pas Shtëpisë së Bardhë, Demokratët e sigurojnë edhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 08:57
Pas Shtëpisë së Bardhë, Demokratët e sigurojnë edhe shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve

Partia Demokratike e ka siguruar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që është dhoma e ulët e Kongresit, ndonëse me epërsi më të vogël ndaj Partisë Republikane në krahasim me legjislaturën e kaluar, pasi i fitoi së paku 218 ulëse.

Demokratët e siguruan shumicën në këtë organ të rëndësishëm pasi agjencia AP i shpalli tre fitues në orët e vona të së martës. Fituesit e ulëseve janë Kim Schrier në Uashington, Tom O’halleron në Arizona dhe Jimmy Gomez në Kalifori.

Kështu, institucioni me 435 ulëse do të kontrollohet nga Partia Demokratike edhe për dy vjet tjera, por me epërsi më të vogël në raport me partinë rivale.

Para këtyre zgjedhjeve, Demokratët i kishin 232 ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Republikanët 197. Kjo do të jetë vetëm hera e dytë që nga viti 1995 që Partia Demokratike do ta ketë shumicën në këtë organ për katër vjet rresht.

Megjithatë, Demokratët nuk e arritën qëllimin që të sigurojnë shumicë në dhomën e lartë të Kongresit – në Senat – si dhe i humbën disa ulëse në Dhomën e Përfaqësuesve, duke u ofruar Republikanëve pozitë të mirë për të bllokuar nisma të rëndësishme legjislative të presidentit të ri.

Shpresat e Bidenit për t’i shndërruar në realitet prioritetet e veta si zgjerimi i qasjes në kujdesin shëndetësor, luftimi i ndryshimeve klimatike dhe ofrimi i më shumë ndihmave gjatë pandemisë tash do të varen shumë nga gara për Senat në Georgia në janar.

(Kosova Sot Online)