Transferimi i pushtetit në SHBA, sekretari Pompeo: Do të ketë një administratë të dytë Trump

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 10:45
Transferimi i pushtetit në SHBA, sekretari Pompeo: Do të ketë një administratë të dytë Trump

Presidenti i zgjedhur Joe Biden shprehet se asgjë nuk do të ndaloj transferimin e pushtetit sikundër nga ana tjetër edhe Presidenti Donald Trump shprehet i bindur se në zgjedhje ka pasur manipulime dhe është ai fituesi, disa nga aleatët e tij republikanë mbështesin hetimet dhe proceset gjyqësore ne disa shtete.

Biden siguroi më shumë se 270 vota në Kolegjin Zgjedhor që i duhen për të marrë presidencën duke fituar Pensilvaninë pas katër ditësh të tensionuara numërimi, i cili u vonua nga një rritje e fletëvotimeve postare për shkak të pandemisë.

Në një fjalim në Delauer, Biden tha se ekipi i tij kish nisur punën për të formuar një administratë të re për tu kujdesur për Ditën e Përurimit, 20 Janar 2021. Sipas ti asgjë nuk do ta ndalojë kalimin e pushtetit.

“Ne tashmë kemi filluar tranzicionin, jemi duke ecur mirë në proces dhe asgjë, asgjë nuk do ta ndalojë atë. Ne do të bëjmë pikërisht atë që do të bënim nëse ai do të kishte pranuar dhe do të kishte thënë se kemi fituar. Deri më tani, nuk ka asnjë provë të ndonjë prej pohimeve të bëra nga presidenti ose sekretari i shtetit Pompeo”, është shprehur Biden.

Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo parashikoi një “administratë të dytë Trump”, teksa liderë e Francës Britanisë dhe Gjermanisë uruan përmes telefonit presidentin e zgjedhur Biden.

“Do të ketë një tranzicion të qetë në një administratë të dytë Trump. Në rregull? Ne jemi gati, Bota po shikon se çfarë po ndodh. Ne do të numërojmë të gjitha votat. Kur procesi të ketë përfunduar, do të kemi një fitues. Ka një proces. Kushtetuta e përcakton atë mjaft qartë”, tha Pompeo.

Gjyqtarët kanë hedhur poshtë proceset gjyqësore zgjedhore në Miçigan dhe Xhorxhia dhe ekspertët thonë se përpjekjet ligjore të Trump kanë pak shanse për të ndryshuar rezultatin. Por presidenti Trump nga ana tjetër nuk i ndal postimet në Twtitter, ku shkruan se beteja vijon dhe se është ai që do ta fitojë këtë garë. Asnjë nga rezultatet shtet për shtet nuk është certifikuar akoma, disa numërime votash po vazhdojnë dhe rezultati përfundimtar  do të vendoset vetëm pasi Kolegji Zgjedhor i SH.B.A. të mblidhet më 14 dhjetor.

(Kosova Sot Online)