Rusia shënon rekord të viktimave të COVID-19 për 24 orë

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 11:48
Rusia shënon rekord të viktimave të COVID-19 për 24 orë

Gjatë 24 orëve të kaluara, Rusia i ka regjistruar 432 të vdekur nga koronavirusi, që është shifra më e lartë ditore që nga fillimi i pandemisë.

Kështu, numri i përgjithshëm i viktimave të sëmundjes së re në shtetin më të madh në botë shkoi në 31.593. Kjo shifër është dukshëm më e vogël në krahasim me viktimat e regjistruara në disa vende tjera të mëdha si Shtetet e Bashkuara dhe India.

Përpos viktimave, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe 19.851 raste të reja të infeksioneve, përfshirë 4.477 vetëm në Moskë. Në këtë mënyrë, shifra e përgjithshme e të prekurve nga virusi SARS-CoV-2 në Rusi shkoi në 1 milion e 836 mijë e 960 persona, që është një ndër numrat më të lartë në botë.

Rusia ndodhet e pesta në botë sa i përket shifrës së infeksioneve, pas Shteteve të Bashkuara, Indisë, Brazilit dhe Francës, shkruan The Guardian.

Sidoqoftë, Rusia është e trembëdhjeta në botë për numrin e viktimave, sipas të dhënave të Universitetit “Johns Hopkins”.

(Kosova Sot Online)