1 muaj paraburgim për të dyshuarin që trafikoi 24-vjeçaren nga Ferizaj, e cila më pas mbeti shtatzënë

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 14:15
1 muaj paraburgim për të dyshuarin që trafikoi 24-vjeçaren nga Ferizaj, e cila më pas mbeti shtatzënë

Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (DKR), ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit H.B. shtetas i Republikës së Kosovës, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “trafikimi me njerëz”.

“Gjyqtarja e procedurës paraprake e DKR – Kadrije Goga Lubishtani, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

Gjyqtari i procedurës paraprake pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, ka vërtetuar se ekziston dyshimi i bazuar mirë, se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet nga ana e prokurorisë së shtetit, po ashtu janë përmbushur kushtet  për caktimin e paraburgimit  të përcaktuara me dispozitat e KPPRK-së, duke marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së saj, ku në rastin konkret i pandehuri që nga muaji shkurt e deri në nëntor në lokacione të ndryshme të qytetit të Ferizajt dhe Kaçanik, në vazhdimësi, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, ka keqpërdorur të dëmtuarën N.Xh, e cila është me aftësi të kufizuar mendore, ashtu që të njëjtën e ka mbajt në kontroll dhe e ka trafikuar tek persona të ndryshëm për qëllime seksuale në këmbim të parave, të cilat më pas i ka  përvetësuar”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

Me këtë rast palët njoftohen se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.

Media ka raportuar dje për rastin e 24-vjeçares, personi që dyshohet se manipuloi me të e ka trafikuar të paktën edhe te gjashtë persona të tjerë, për ofrimin e shërbimeve seksuale. Si pasojë e trafikimit, ajo ka mbetur shtatzënë dhe shumë shpejt pritet ta sjellë në jetë një fëmijë.

Sipas raporteve mjekësore, viktima ka aftësi të zvogëluar mendore dhe përveç keqtrajtimit nga personat e dyshuar, ajo është sulmuar fizikisht edhe nga motra e saj, pasi edhe kjo e fundit ka aftësi të zvogëluar mendore. 

(Kosova Sot Online)