Shteti që po shet përralla, thotë se s’ka asnjë rast me COVID-19, por i dënon qytetarët për maska

  • G.G /
  • 11 November 2020 - 15:31
Shteti që po shet përralla, thotë se s’ka asnjë rast me COVID-19, por i dënon qytetarët për maska

Autoritetet në Turkmenistan, ku zyrtarisht nuk është raportuar asnjë rast i koronavirusit, e kanë ashpërsuar kontrollin ndaj zbatimit të urdhrit për përdorim të maskave duke kryer bastisje në organizata, kompani dhe shkolla dhe duke i ndëshkuar qytetarët që nuk kanë vendosur maska.

Korrespondentët e Evropës së Lirë raportuan të mërkurën se kontrollet e paparalajmëruara janë të organizuara nga ekipet që përbëhen nga pjesëtarë të stafit të autoriteteve lokale, policët dhe zyrtarët e sanitarisë.

“Ata që shihen pa maska në mjedis të hapur dënohen me 20 manatë (5.7 dollarë), ndërsa personat që kapen pa maska në mjedise të mbyllura dënohen me 50 manatë (14.3 dollarë), që është shumë e konsiderueshme e të hollave për qytetarët e rëndomtë”, raportuan gazetarët.

Në Turkmenabat, kryeqytet i provincës lindore, Lebap, para zyrës së kontrollit sanitar ditëve të fundit ka radhë të njerëzve që presin për t’i paguar gjobat për mospërdorim të maskës.

Në provincën fqinje, Mary, policët, të shoqëruar nga mësuesit dhe përfaqësuesit e qeverisë lokale, kanë patrulluar rrugëve të qytezave dhe qyteteve të këtij rajoni dhe i kanë ndalur njerëzit që nuk kishin maska në fytyrë.

Disa mësues i thanë Radios “Evropa e Lirë” se janë detyruar të marrin pjesë në patrullime të tilla, të cilat i cilësuan si të turpshme. Ata shtuan se personat që i kryejnë këto patrullime shpesh fshihen në vende të befasishme për t’i zënë papritmas njerëzit pa maska.

Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë shprehu shqetësim për shtimin e rasteve të një pneumonie të pazakontë në Turkmenistan, duke kërkuar nga autoritetet që t’i lejohet testimi i njerëzve për koronavirus, por një gjë e tillë nuk i është mundësuar.

(Kosova Sot Online)