Pas sulmit në Vjenë, Austria propozon burgim të pakufishëm për terroristët

  • E.K /
  • 11 November 2020 - 16:06
 Pas sulmit në Vjenë, Austria propozon burgim të pakufishëm për terroristët

Qeveria austriake tha të mërkurën se është duke planifikuar që ta mundësojë burgimin pa afat kohor të personave të dënuar për krime që lidhen me terrorizmin, nëse ata cilësohen si kërcënim.

Ky ndryshim vjen pas sulmit të tmerrshëm javën e kaluar në Vjenë, ku një xhihadist i dënuar, i cili ishte liruar më herët nga burgu, vrau katër persona dhe u qëllua për vdekje nga policia, shkruan Reuters.

Sulmuesi 20 vjeç, me prejardhje shqiptare nga Tetova, ishte dënuar me 22 muaj burgim pasi ishte përpjekur që t’i bashkohej ISIS-it në Siri. Autoritetet austriake kanë pranuar se shërbimet e inteligjencës kanë dështuar që ta përcjellin këtë person para se ta kryente sulmin.

“Nëse një kriminel mendërisht jonormal mund të burgoset përjetë për shkak se është kërcënim, atëherë një terrorist që paraqet kërcënim mund të burgoset përjetë”, tha kancelari Sebastian Kurz gjatë një konference për gazetarë, ku foli për masat e planifikuara kundër terrorizmit.

Ai shtoi se kjo mund të bëhet mundësi për gjykatat, kur të dënohet dikush për krime xhihadiste. Për ata që tashmë e kanë kryer dënimin, Austria po planifikon vëzhgim më sistematik përmes pajisjeve elektronike në trup.

Austria ka numër të konsiderueshëm të personave që i janë bashkuar ISIS-it në Siri ose Irak ose që janë përpjekur të bëjnë një veprim të tillë.

(Kosova Sot Online)