Procedura “e veçantë” për rastin e rrëzimit ose jo të kryeministrit Hotit

  • E.K /
  • 11 November 2020 - 18:58
 Procedura “e veçantë” për rastin e rrëzimit ose jo të kryeministrit Hotit

Si rrallëherë, Gjykata Kushtetuese do të mbajë seancë dëgjimore publike për ta trajtuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votën e deputetit Etem Arifi që kishte votuar për formimin e Qeverisë Hoti, edhe pse i dënuar me burgim.

Në rastet kur janë trajtuar çështje të rëndësisë jetike për institucionet, Gjykata Kushtetuese zakonisht seancat i ka mbajtur privatisht, derisa publike janë bërë vetëm argjykimet e saj. Kështu është vepruar edhe me rastin e Fatmir Sejdiut, me rastin e Behgjet Pacollit dhe së fundmi, me dekretin e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në shtator të vitit 2010, Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se presidenti i atëhershëm, Fatmir Sejdiu e kishte shkelur seriozisht Kushtetutën e Kosovës. Shkelja kishte të bënte me mbajtjen e njëkohshme të postit të presidentit të dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Mbledhja e gjykatësve të Kushtetueses ishte bërë në mënyrë jopublike.

Në po të njëjtën mënyrë, Kushtetuesja e kishte marrë vendimin edhe për rrëzimin e Behgjet Pacollit nga posti i presidentit të vendit në vitin 2011. Me shumicë votash, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese vendosën se zgjedhja e Pacollin binte ndesh me Kushtetutën.

Po njësoj u veprua edhe me dekretin e ish-presidentit Hashim Thaçi, për ta mandatuar Avdullah Hotin për kryeministër. Me shumicë votash, Gjykata i hapi rrugë formimit të Qeverisë së re.

Përjashtim bën zgjedhja e Isa Mustafës në krye të Kuvendit të Kosovës në vitin 2014, kur VV-ja, LDK-ja, AAK-ja dhe Nisma donin të bënin koalicion për ta lënë PDK-në në opozitë. Kjo çështje ishte trajtuar po ashtu me një seancë dëgjimore para se Kushtetuesja të vendosje ta shpallte kundërkushtetuese zgjedhjen e Isa Mustafës si kryeparlamentar.

Për rastin e fundit që LVV e kishte dërguar për trajtim, nga Kushtetuesja kanë bërë të ditur se kjo seanca dëgjimore publike për rastin e votës së deputetit Arifi është caktuar për datë 2 dhjetor dhe do të mbahet përmes një video konference. Për këtë çështje, Kushtetuesja ka thënë se do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.

Qeveria Hoti mund të rrëzohet nëse Gjykata Kushtetuese e interpreton si ndesh me ligjin votën e deputetit Etem Arifi, që edhe pas dënimit me burg, kishte vazhduar të merrte pjesë në seanca të Kuvendit, ku u morën vendime shumë të rëndësishme, njëri nga të cilët ishte edhe formimi i qeverisë aktuale.

Kjo çështje që është dërguar për interpretim gati gjashtë muaj më parë ende nuk ka marrë epilog.

“Gjykata ka marrë vendim që të mbajë seancë dëgjimore publike përkitazi me këtë rast më 2 dhjetor 2020 dhe për këtë do të njoftohen së shpejti të gjitha palët e interesit të përfshira në këtë lëndë. Për shkak të rrethanave aktuale me pandeminë Covid-19, seanca dëgjimore do të organizohet nëpërmjet video-konferencës, në përputhje me rekomandimet dhe udhëzimet në fuqi të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës”, thonë nga Kushtetuesja, derisa, bëjnë të ditur se Gjykata për këtë çështje do t’i drejtohet edhe Komisionit të Venecias.

“Njëherësh, duke pas parasysh çështjet e ngritura në kërkesë, Gjykata po ashtu ka marrë vendim që t’i drejtohet edhe Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me praktikat dhe rregullat e aplikueshme në situata të ngjashme, në shtetet anëtare të Komisionit”, thonë nga Kushtetuesja për express.

Në Kushtetuese thonë tutje se që nga fillimi kanë pasur komunikim të vazhdueshëm me të gjitha institucionet dhe palët e përfshira në këtë rast.

“Bazuar në dispozitat kushtetuese dhe ligjore në fuqi, Gjykata ka afat 60 ditë për shqyrtimin e kësaj kërkese, që fillon pas dorëzimit të të gjitha dokumenteve të nevojshme për shqyrtim kushtetues të lëndës. Përkitazi me këtë çështje, Gjykata ka pasur komunikim të vazhdueshëm me institucionet dhe palët e përfshira në rast edhe gjatë muajit shtator, me qëllim të kompletimit të dosjes së lëndës”, thuhet në përgjigje.

Etem Arifi ishte njëri prej 61 deputetëve që votoi pro formimit të Qeverisë Hoti. Për partinë e Albin Kurtit,Vetëvendosjen, e cila ishte rrëzuar nga pushteti, vota e deputetit të Partisë së Ashkalinjëve është jovalide për faktin se ai është dënuar për korrupsion me vendim përfundimtar të Gjykatës.

Për këtë arsye nga LVV-ja ishin drejtuar për interpretim në Kushtetuese.

(Kosova Sot Online)