Pas prezantimit të masave të reja, Hoti dhe Zemaj shkojnë në Infektivë

  • G.G /
  • 12 November 2020 - 07:44
Pas prezantimit të masave të reja, Hoti dhe Zemaj shkojnë në Infektivë

Qeveria e Kosovës dje gjatë ditës ka prezantuar disa masa të reja Anti Covid që do të votohen në ekzekutiv.

E një ditë pas këtij njoftimi, kryeministri Avdullah Hoti së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe u.d. të drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi, vizitojnë Klinikën Infektive.

Pas vizitës në Klinikën Infektive, kryeministri Hoti dhe ministri Zema do të flasin para mediave.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka prezantuar dje masat e reja për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Sipas masave që hyjnë në fuqi nga e premtja, në Prishtinë dhe 6 komuna të tjera të Kosovës, pas orës 19:00 do të ketë “orë policore”.

Kurse, aktiviteti ekonomik do të lejohet nga ora 05:00 deri në orën 18:00, 19:00 ose 20:00, varësisht në cilën “zonë” të vlerësuar të rrezikshmërisë ndodhet komuna.

Komunat janë ndarë në tri zona të rrezikshmërisë, sipas numrit të të infektuarve: zona e kuqe me rrezikshmëri të lartë, zona e verdhë me rrezikshmëri mesatare dhe zona e gjelbër e cila ka rrezikshmërinë më të ulët.Komunat në “zonën e kuqe” janë: Prishtina, Podujeva, Mitrovica e Jugut, Peja, Gjakova, Gjilani dhe Ferizaj.

Këto komuna janë cilësuar me rrezik të lartë të infeksionit pasi kanë mbi 150 persona të infektuar në 100 000 banorë brenda javës.

“Jemi duke kaluar në situatën më të vështirë në 20 vjetët e fundit. Kjo situatë krahasohet vetëm me luftën. Kërkojmë mirëkuptimin e secilit. Nuk mund ta mbyllin shtetin komplet pasi do të ishte fatale, por masat do të na çojnë për një javë në shifra më të mira”, ka thënë dje Hoti.

(Kosova Sot Online)