Italia përsëri pranë kolapsit, spitalet po mbushen me pacientë me COVID-19

  • G.G /
  • 12 November 2020 - 09:53
Italia përsëri pranë kolapsit, spitalet po mbushen me pacientë me COVID-19

Javëve të fundit, Italia është përballur me rritje shqetësuese të rasteve ditore të koronavirusit dhe kjo ka ndikuar që spitalet të mbesin me pak vende të lira për të sëmurë të tjerë.

Federata e Mjekëve Italianë këtë javë bëri thirrje për izolim mbarëkombëtar për ta parandaluar kolapsin e sistemit shëndetësor. Qeveria po përballet me kritika më të rrepta sesa në pranverë, kur kriza shëndetësore u prit me solidaritet të plotë të popullsisë.

Deri të mërkurën, 52 për qind e shtretërve në spitalet e Italisë ishin të zënë nga pacientët me COVID-19, që është mbi pragun e rrezikut prej 40 për qind, që është vendosur nga Ministria e Shëndetësisë.

Nëntë nga 21 rajonet dhe provincat autonome të Italisë tashmë ndodhen në zonën e kuqe me mbi 50 për qind të shtretërve të zënë nga pacientët me koronavirus. Në Lombardi, kjo përqindje është 75, në Piemont 92, ndërsa në Tirolin Jugor 99 për qind, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.

Spitalet e rajonit po reagojnë duke i riorganizuar repartet në përpjekje për të mos e ndërprerë shërbimin e zakonshëm shëndetësor, siç ndodhi gjatë valës së parë vdekjeprurëse të pandemisë në Itali.

Sidoqoftë, spitalet në Lombardi dhe Piemont, krahina që ndodhen në zonën e kuqe, i kanë mbyllur repartet e kirurgjisë, pediatrisë dhe repartet për personat e moshuar në mënyrë që të krijohet më shumë hapësirë për pacientët me COVID-19. Veneto, që ndodhet në zonën e verdhë, është duke u përgatitur që këtë javë t’i anulojë të gjitha procedurat shëndetësore joemergjente.

Ndryshe, Italia është një ndër vendet më të prekura nga pandemia në Evropë dhe ishte shteti i parë që u godit rëndë në këtë kontinent në valën e parë. Bashkë me Britaninë e Madhe, Spanjën dhe Francën, ajo ka më së shumti të vdekur e të infektuar në Evropë.

(Kosova Sot Online)